Nga Drini Kuqo
Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, që zakonisht del të flasë për mediat jo më larg se një orë pasi një nga deputetët e tij bën akuza të rënda dhe pompoze, ka mbetur pa fjalë. Ndodhet në Bullgari, atje ku me duar e me këmbë, po përpiqet të argumentojë, pse Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk duhet që t’i hapen kurrësesi dyert e Evropës.
Nga Partia Demokratike, nuk ka qëndrim zyrtar, edhe disa orë pasi, njëra pas tjetrës u çmontuan të gjitha akuzat mbi të cilat opozita kishte ngritur aksionin e saj të ditëve të fundit.
Nëse bëhemi seriozë, sigurisht nuk mund të konsiderojmë reagime deklaratat me “krisma” të Edi Palokës, apo “denoncimet” e Sali Berishës, qytetari digjital i të cilit “denoncon” se Agron Xhafaj ka mbërritur në aeroportin e Romës dhe është shoqëruar me policë, a thua vetë Agron Xhafa nuk ua kish bërë të ditur vetë shqiptarëve, se po shkonte të vetëdorëzohej tek autoritetet italiane.
Këto janë deri tani reagimet e një Partie, që jo më larg se dje, ndodhej në prag të një revolucioni, në emër të “luftës kundër krimit”.
“Tre moskëtierët”, Salianji, Alibeaj dhe Bardhi, që u shndërruan në kalorësit e luftës për drejtësi në studio televizionesh dhe dritare fejsbuku, kanë humbur.
I pari do të duhet të japë sqarime se në cilën studio u përpunua për t’u shitur si “autentike” – sipas fjalëve të tij – video përgjimi me bashkëpunëtorin X, që dëshi t’u shiste shqiptarëve. Por tashmë me një akuzë të rëndë mbi shpatulla: përpjekje për destabilizim.
Dy të tjerët, ish ministra drejtësie, do të duhet të japin sqarime – më e pakta përpara publikut që u përpoqën të mashtrojnë – për akuzën e tyre, për shtimin e nenit të famshëm 49 pika f. Që janë mekur prej deklaratës që Komisioni Evropian e përcolli përmes Euraliusit, kjo nuk do shumë mend. Por teksa akuza për destabilizim sa vjen e bëhet më e besueshme, edhe këta të dy, ashtu si Salianji, do të duhet ta gjejnë zërin e shuar.
Në fakt, askush nuk duhet të gëzohet për dehrexhenë në të cilën gjendet opozita sot. Në fund të fundit, një qeveri pa frerin që e imponon një opozitë e fortë, bëhet e pakontrollueshme, dhe si pasojë, bëhet gjithjë e më e prirur të gabojë.
Por nga ana tjetër, në këtë vend i duhet dhënë një herë e mirë fund, një fenomeni, tek i cili padyshim mund të gjendet burimi i një pjese të mirë të këqiave që nuk i janë ndarë, prej pothuaj tre dekadash: pandëshkueshmërisë.
Agron Xhafaj e bëri aktin e tij, u dorëzua tek autoritetet italiane për të kryer dënimin. Fatmir Xhafa nuk ka më asnjë përgjegjësi mbi shpatulla, qoftë morale, e aq më pak juridike. Për ata pak që kishin dyshime në lidhje me “futjen” e një neni në Kodin Penal, përgjigja më e mirë erdhi nga ekspertët ndërkombëtarë. Duke e çliruar Ministrin e Brendshme nga një akuzë, absurditeti i të cilës ishte i qartë para syve të të gjithëve që kuptojnë sadopak nga funksionimi i komisioneve dhe i Kuvendit.
Sa për akuzën e tretë, nëse vërtetohet ajo që ka deklaruar Kryeministri sot, pra që kemi të bëjmë me përdorimin e një materiali autentik, atëherë ajo do të shndërrohet në ortekun, i cili do të marrë përpara pikërisht ata që e vunë në lëvizje, nga zyra e SHQUP.