Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë Ilir Metën në detyrën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa ka shpërthyer në akuzat të forta ndaj trupës së gjyqtarëve dhe kreut të shtetit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, analisti Çupi theksoi se mosshkarkimi i presidentin nga Kushtetuesja, sipas tij, është një atentat ndaj qytetarëve dhe ligjit. “Që natën kur Gjykata Kushtetuese vendosi të mbrojë presidentin ‘me sëpatë që na pret duart’, me ‘sfurqe që na hap barqet’, me ‘amerikanë të kapur për veshësh’…, që atë natë ne jemi ‘nën hënë’, pa çati, pa shtet, pa ligj, pa mburojë.
(Të kapë tjetri amerikanët për veshi e të të mos hyjë tmerri për vete!?). Ishte mesnatë, edhe vetë 6 gjykatësit e ferrit, nuk guxuan ta marrin në mbrojtje haptazi bosin e tyre. Po ne të tjerët, ku të futemi tani?! Presidenti do të dalë nga ai kafaz ku ishte e do të na turret të gjithëve
.
Me sëpatë, me sfurqe, i dehur, i katrafilluar! O zot, ku të futemi? Deri atë mesnatë të së martës së zezë, kishim një shpresë se ‘ariu ishte i rrethuar’; të paktën me ligje. Ndërsa tani gjykatësit tanë, njësoj si çnjerëzorët që lëvizin natën, na lanë zbuluar.
Nuk kemi më as Parlament (sepse parlamenti ra në gjunjët e presidentit); nuk kemi më as president (sepse presidenti tani del dhe e bën të zezën pa ligj); nuk kemi më as gjyq”, shkruan ai. Më tej analisti Çupi akuzon presidentin Meta se është i korruptuar dhe hajdut. “Gjykata na e mbylli thesin. Në vend që të mbyllte thesin e një historie të tërë korrupsioni, vjedhjesh, krimesh; gjykata mbylli thesin e qytetarisë.
Ata që kishin kryer gjithë të keqen tonë prej 30 vjetësh, mbetën të lirë. Gjykata Kushtetuese vendosi që sikur ‘kaq ta bëni dhëmbin!’, Ilir Metën dhe të tjerë si ky, do t’i keni përjetë në pushtet. Presidenti nuk ka shkelur ligjin edhe pse e ka shkelur; nuk ka thyer Kushtetutën edhe pse e ka thyer; nuk ka kërcënuar paqen dhe lirinë edhe pse e ka bërë; nuk ka prekur në marrëdhëniet me aleatët dhe pse po!; ‘sfurqet i nguli ashtu kot’ por i nguli; edhe pse dehet nuk prish punë se me raki dehet!; edhe pse bën veprime pa dinjitet, kandarin e dinjitetit e mban Gjykata”, nënvizoi Çupi.