Djali i vogël i Nazmi Bastriut dhe Lirie Kondit tregon për herë të parë gjithë përjetimet e fëmijës që kujtimet e vetme të fëmijërisë i lidh me orarin e drekës, kur duhet të lypte ndonjë kafshatë buke.
Si u martua e ëma, e bija ekonomiste e kolonel Elmaz Kondit, me të atin e tij nga komuniteti rom. Ç’u bë me ta pas martesës së padëshiruar nga familja e bardhë dhe presione të vazhdueshme të Sigurimit, që çuan deri në vdekjen e së ëmës dhe burgosjen e të atit. Persekutimi nga ish-zv. ministri i Brendshëm Xhulio Çiraku, i afërm i Hysni Kapos
Ç’ka ndodhur shoku kolonel?
-Shoku m*t, më thuaj.
-Po ti fol mor burrë, ç’i ka ndodhur vajzës?
-Dashuron një… arixhi.
-Arixhi?, klithi studenti i Shkollës së Partisë.
-Po, po, arixhi safi! Bato Kazanxhiu e quajnë. Jeton në Bregun e Lumit. Në barake me llamarina. Mes evgjitërve barkëjashtë e këmbëzbathur.
-Si kështu? Blerta është vajzë e urtë, e sjellshme. Vërtet e heshtur, po, deri këtu… Dashuri me arixhiun! Ç’do të thotë bota xhanëm? Po ju çfarë keni bërë o kolonel?
-Unë Telo Mezani, kolonel i Ministrisë së Brendshme me nipër e mbesa arixhinj… Për ideal të Partisë, e tmerrshme! E kobshme! Më e zezë se vdekja. Që ta gjesh në një roman artistik këtë dialog, asgjë të çuditshme nuk ka. Por, kur që në krye të faqeve të romanit shkruhet dukshëm që të gjitha ngjarjet janë të bazuara në ngjarje të vërteta, atëherë historia ndërlikohet. Emrat e personazheve të sipërpërmendur nuk janë ata realët, ama duhet të jenë diku nëse ngjarja është e vërtetë. Këtë dilemë që ngjalli romani “Nata e syrit të gjelbër” me autor Mina Qiricin, na e zgjidhi vetë autori.
Drita e qetësisë nuk u pasqyrua asnjëherë në sytë e mëdhenj ngjyrë gjelbër të dy protagonistëve të ngjarjes. Ky nuk është vetëm fakt i marrë nga ngjyrat artistike të romanit, kërkimi rreth ngjarjes shkoi shumë afër së vërtetës. Të paktën te emrat dhe ngjarjet, po. Aq sa i lejonte kujtesa një djaloshi gjysmë rom e gjysmë të bardhë, që i rënduar nga kujtimet e vrazhda të fëmijërisë emigroi qysh në vitet e para, kur mundën të gjithë, për të mos iu kthyer më gjatë për të jetuar. Mjaftueshëm, sa për të takuar të atin e shenjosur në trup e shpirt nga e shkuara, deri dy vjet më parë, kur u largua njëherë e përgjithmonë.
Alfred Bastriu është i biri i protagonistit të ngjarjes së romanit. Pjellë e dashurisë së luftuar në çdo kohë. Portreti i tij është i vrazhdë, i egër. Sado që gjatë bisedës përpiqet edhe të buzëqeshë, me gjithë dhembjen që i shkakton historia që duhet të tregojë, sytë e tij (të shkruar, me nuanca të lehta të jeshiles të së ëmës) nuk e shmangin dot njëfarë “urrejtje ndaj botës”.
I ati nuk ua pati ushqyer kurrë këtë ndjenjë urrejtjeje, edhe pse ishin përherë të përçmuar e keqtrajtuar, megjithatë ai nuk e shmang dot. Kur ishte 5 vjeç e shkonte lypte koraçka (kore buke) te komshinjtë, i ndërgjegjshëm që ishte duke shkuar ai, sepse vëllezërit e mëdhenj turpëroheshin nga kjo gjë, në shikimin e tij akumuloheshin të gjitha; urrejtja instiktive ndaj gjithçkaje dhe asgjëje, turpi, pafuqia. Kështu u rritën sytë e tij. Edhe sot, që kanë fituar të gjitha tiparet e burrërisë, nuk e kanë të lehtë buzëqeshjen. E kush do të mundej!? Me ato përpëlitje që të shkaktonte shfletimi i albumit të tij familjar të fotografive, ndërsa edhe ai vetë i shihte pas kaq vitesh e bënte bashkë copëza historish, edhe aq, shikimi ishte i mirë. Cila është e shkuara e këtij djaloshi të sapokthyer nga përbuzja e emigrimit për të ndërtuar një shtëpi të re, po aty ku i ati për 62 vite pati të vjetrën. Në po ato rrugica të “Alliasit” (lagje e komunitetit rom), ku u rrit e ku kërkoi bukë. Ç’ishte kjo gjëmë e madhe që prindërit i kishin bërë të tjerëve aq sa për të ardhur policia në shtëpi e të kërkonte me dhunë t’i çonte drejt jetimores. Qysh atëherë, fëmijët i jepnin këtyre pyetjeve përgjigje të pjesshme. Edhe pak vite akoma dhe gjithçka do të ishte e qartë.
HISTORIA E DASHURISË SË DJALIT ROM ME TË BIJËN E KOLONELIT
Emri i vërtet i Blertës së romanit të autorit Mina Qirici ishte Liri (i tëri ironik fati me të, qysh kur u shtiu ndër mend prindërve të saj t’i vinin të bijës këtë emër). Liri Kondi. Kujdesi që prindërit kishin treguar për të në të gjitha fazat e rritjes, e kishte bërë atë një vajzë të mirërritur e të shkolluar. Për një kolonel të Ministrisë së Brendshme, që në një mënyrë a në një tjetër do të kishte domosdo lidhje me “të mëdhenjtë”, kjo gjë ishte lehtësisht e mundur. Vetëm se fati nuk mund të kontrollohet e as të zmbrapset. Me të kryer studimet, Liria nisi të punonte në fermën ‘Gjergj Dimitrov’ si ekonomiste. Ishte aty ku u ndeshën shikimet e tyre.
Një burrë i gjatë, bukurosh, me sy të mëdhenj të gjelbër e tipare të forta, nuk i shpëtonte vëmendjes së vajzave të reja. Sado që djaloshi nuk ishte si ajo, në një zyrë duke u marrë me llogaritë e inventaret e mallrave. Ishte njëri prej punëtorëve të fermës. Por, ky disnivel arsimor nuk ishte e vetmja pengesë. Nazmiu ishte rom. E ç’punë i prishte Lirisë kjo gjë, për të ai ishte më i miri, më i bukuri. As që e çonte në mend se ngjyra e tij e lëkurës do t’i kushtonte jetën. Pavarësisht së ardhmes së hidhur, kështu nisi dashuria e vajzës së kolonelit me djalin me ngjyrë.
Ishte fundi i viteve ’60-të, kohë kur racizmi de jure dënohej bindshëm, por po të ulje këmbët në tokë, kuptoje realitetin e ndryshëm nga fjalët. Kështu, Nazmi Bastriu u kthye në qendrën e sulmit për kolonelin Elmaz Kondi dhe të ëmën e tij ca më të afërt me ‘ata’ të Sigurimit, Trëndelina Kondi. Pyetjes nëse pas këtyre fshihej dikush tjetër, sot Alfred Bastriu ia ka gjetur njëfarësoj përgjigjen, a së paku mendon t’ia ketë gjetur.
“Nga ato çfarë na tregonte babai, mendoj që pas stërgjyshes sime, Trëndelinës, fshihej një tjetër më i fuqishëm, i afërmi i saj Xhulio Çiraku”. Xhulio Çiraku ishte gjeneral e zëvendësministër i Brendshëm e me gjithë postet, si për rastësi, ishte djali i tezes së Hysni Kapos. Domosdo që gjëra në dorë kishte plot, të paktën aq sa t’ia bënin të hidhur jetën Nazmiut. Aq sa, edhe në ditët e fundit të jetës, nuk i ishin zhdukur, vetëm sa i ishin përforcuar shenjat e torturave të burgut në trup. E megjithatë, Nazmiu asnjëherë nuk u ankua përpara tre djemve. “Ishte shumë burrë për ta bërë këtë, do ishte si të përbaltte kujtimin e sime mëje”.
TMERRET E ‘LUFTËS’ SË FAMILJEVE
Shkëmbimi i vështrimeve të të rinjve ishte vendimtar. Për asnjërin prej të dyve nuk kishte kthim mbrapa. Qoftë për Nazmiun që po merrte një mijë e një kërcënime që të ndahej nga vajza e kolonelit, qoftë për Lirinë, që presionet e familjes po i vinin me breshëri. Asnjëri prej të dyve nuk u tërhoq nga vendimi që kishin marrë zemrat në heshtje në fermë. Liria u largua nga shtëpia për t’iu bashkuar familjes së Nazmiut. Domosdo që hoqi dorë një herë e mirë nga familja. Por, ata nuk hoqën prej saj. Familja e re u shtua me tre djem, që erdhën në jetë njëri pas tjetrit. Pra, shanset që të ndaheshin ishin zero. Elmaz Kondi megjithatë vazhdonte me presionet e tij.
Ndikoi në jetën e familjes Bastriu, aq sa për ta detyruar të bijën të punojë grumbulluese mbeturinash, bashkë me anëtarët e tjerë të komunitetit rom. “Mendonte se kështu, duke e bërë të vuaj, duke e bërë të prekë skajet e varfërisë, do ta bënte ta linte e të kthehej te familja e saj”. Gjë që Liria nuk e bëri as kur mbeti e vetme, pa të shoqin. “Së pari, babain e internuan e çuan në Fushë-Krujë, në fermën “Halilaj”. Lajmi që mamaja po shkonte ta takonte edhe atje, falë agjentëve të Sigurimit, mbërriti shumë shpejt, kështu që duhet të merreshin masa më të forta. U krijua menjëherë skenari për burgosjen e tij. Ka qenë shumë e thjeshtë atëherë që njerëzit e pushtetshëm të krijonin një ngjarje, një alibi dhe të dënonin kë të kishin dëshirë. Kështu bën edhe me babain. Morën një pistoletë dhe ia futën në xhaketë.
Akuza: “armëmbajtje pa leje”. Të gjitha këto ngjarje, varfëria, ligështimi, puna e rëndë, presionet e vazhdueshme edhe mbi fëmijët, po fillonin të rëndonin shëndetin e Lirisë. Aq sa pa ndonjë sëmundje të diagnostifikuar, domosdo që edhe pa mjekim, (nëse do të ishte sëmundje që zgjidhej me hape) u largua nga jeta ende pa i mbushur të 40-tat. Por, a kishte mbaruar me kaq? Ç’shkonte nëpër mendjen e atyre njerëzve që e kishin shpënë të bijën drejt vdekjes?! A kishin reshtur prej dhimbjes së të luftuarit?! “Unë kam qenë shumë i vogël, gati nuk e kujtoj time më. Kam ndonjë moment të turbullt që më shumë i ngjan një ëndrre të harruar se sa realitetit. Kam qenë 4-5 vjeç kur ajo ka vdekur. Por, kur u rrita, i shihja gjërat ndryshe nga ajo kohë, po që ruaj kujtime. Pas vdekjes së nënës, me babain në burg, ne na mbante halla. Kujtoj sa herë makinën tip xhips që vinte në po këto rrugica, ku kaluam bashkë pak më parë, për të na marrë. Na merrnin në pyetje, por asnjëri prej nesh nuk u kthente përgjigje, kërkonin të na merrnin, të na çonin në jetimore.
Ky ishte qëllimi i tyre që në ditët e para që lindëm, kështu nuk do të rrezikonin t’ju prishej raca në sy të të tjerëve. Veçse, po të mos pranoje, nuk të merrnin me zor”. Kështu kaloi jeta e këtij fëmije që nga mosha 4-vjeçare e deri në klasë të katërt, kohë kur babai i doli nga burgu. Aty do të tregoheshin gjithë peripecitë në kohën e mungesës së tij. Të gjitha herët që kishte trokitur te komshinjtë me shpresën për të marrë një copë buke prej vërteti (jo koriçkat e mbetura) për ta lagur me ujë e për ta ngrënë. Po ç’ishin këto përpara vuajtjeve të të atit që sigurisht nuk mund t’i ndante me fëmijët, veçse vite më vonë, me miqtë. Autori i librit “Nata e syrit të gjelbër” është një nga miqtë e tij të cilit Nazmiu i ka folur për tmerret e burgut. Për torturat e rrahjet që i kanë bërë.
RACIZMI MBETET PO AI
Në ato rrugica të panjohura të “Alliasit”, ku ende jetojnë dy vëllezërit Bastriu, (njëri prej tyre ka humbur jetën në një aksident) dikur, prej familjes së të ëmës vinte vetëm tezja e tyre, Shpresa Kondi. Edhe pas vdekjes së të ëmës, fshehtas, gjente mënyrën për t’u ardhur disi në ndihmë. “Kujtoj që në mënyrë gati të fshehtë, nëpër cepat e ndërtesave të lagjes vinte për të na dhënë ndonjë çokollatë a ndonjë ushqim, ç’të kishte mundësi”. Shpresa ka qenë e vetmja që e ka luftuar fort që në fillim vendimin e familjes. Madje, kur e kishte të motrën gjallë, shkonte ndonjëherë për darkë në shtëpinë e tyre. Por, çfarë ka ndodhur sot me ta?
A u thyen ndonjëherë barrierat mes tyre? Apo është bërë vërtet më keq?! “Unë kam jetuar në Itali prej 19 vitesh dhe kam vetëm pak ditë që jam kthyer, por po ju tregoj një histori të pak kohëve më parë. Takova tezen dhe pak larg nesh u duk i vëllai i saj, pra ai që më bie dajë. Ndali dhe më tha që të mos i thoshim gjë se kush isha. U ulëm në një bar, ai erdhi, u ul, më njohu dhe pa thënë asgjë u ngrit nga tavolina dhe iku”. Shikimi i Nazmi Bastriut është lehtësisht i lexueshëm në sytë e të birit, që megjithëse ashtu të ashpër, diku e lexon butësinë që mund të kishte pasur nëse nuk do të kishte bërë jetën që bëri.(Panorama)