Ish-presidenti Donald Trump, si dhe fëmijët e tij Ivanka dhe Donald Jr., do të thirren për të dëshmuar në Prokurorinë e Përgjithshëm të Nju Jorkut, për të dëshmuar në lidhje me një hetim civil në vazhdim e sipër, mbi praktikat e bizneseve të familjes së tij, shkruan CNN.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Arthur Engoron dha vendimin e tij në të njëjtën ditë kur ai mbajti një seancë dëgjimore dy-orëshe mbi këtë çështje.
Familja Trump po kërkonte të anulonte thirrjet nga Prokurorja e Përgjithshme Letitia James, ndërsa ajo po i kërkonte gjykatës që t’i urdhëronte ata të pajtoheshin.
Në disa raste gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari shprehu skepticizëm ndaj argumenteve të Trumpit se ulja për dëshmi në hetimin civil do të minonte të drejtat e tyre kushtetuese. Gjatë seancës dëgjimore të së enjtes, avokatët e Trump treguan se do të apelonin një vendim të pafavorshëm.
Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut po shikon nëse Trump ka mashtruar huadhënësit, siguruesit apo të tjerët në pasqyrat financiare të tij dhe të biznesit të tij. Tashmë, James ka pretenduar shumë “deklarata mashtruese dhe lëshime” në paraqitjet tatimore dhe pasqyrat financiare të përdorura për të marrë kredi.
Fletëthirrjet drejtuar zotit Trump, djalit të tij, Donald Trump Jr dhe vajzës Ivanka Trump, rrjedhin nga një hetim “mbi vlerësimin e pasurive në pronësi ose të kontrolluara” nga zoti Trump si dhe kompania e tij, Organizata Trump.
Muajin e kaluar zoti Trump paraqiti një padi ndaj Lelitja James, duke kërkuar t’i jepej fund hetimit, pasi Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi atij të paraqitej për të dëshmuar më 7 janar.
Në padinë e zotit Trump, paraqitur në gjykatën federale, pretendohet se hetimi ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese në një “përpjekje të fshehtë për ta dëmtuar publikisht atë (Trump-in) dhe bashkëpunëtorët e tij”. Hetuesit morën në pyetje vitin e kaluar një nga djemtë e zotit Trump, drejtuesin ekzekutiv të Organizatës Trump, Eric Trump. Fillimisht avokatët e tij e anuluan dëshminë e planifikuar, por pas një vendimi gjykate Eric Trump u detyrua të dëshmonte.