Shtetet e Bashkuar të Amerikës i kanë dhënë një sërë detyrash kryeministrit Edi Rama. Shefi i qeverisë zhvilloi një vizitë në Uashington ku u takua me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Të martën Rama dha një intervistë te VOA ku nuk tregoi shumë detaje nga takimi. Dje ka qenë Departamenti i Shtetit që ka reaguar, duke dhënë detaje mbi atë që është folur. Sipas reagimit të DASH, padyshim që një fokus të veçantë ka zënë reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Amerikanët kërkojnë që të ndëshkohen zyrtarët e zhytur në afera.
Sipas burimeve SHBA ka paralajmëruar se do ketë të tjerë emra “non grata”, ndërkohë që e ka bërë të qartë se mbështet organet e reja të drejtësisë dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë. “Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken u takua sot me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Uashington, DC.
Sekretari Blinken dhe kryeministri Rama festuan 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe sekretari vlerësoi traditën e vazhdueshme të Shqipërisë për të ofruar një portë të sigurt duke pritur afganët në rrezik. Sekretari vuri në dukje bashkëpunimin tonë të fortë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e qartë të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër agresionit rus.
Sekretari përsëriti mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, ndërsa theksoi nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”, thuhet në deklaratën e DASH.
Pra duket qartë se dy çështje kryesore ku është përqendruar biseda është agresioni rus, reforma në drejtësi, lufta ndaj të korruptuarve dhe pritja e afganëve. Sipas informacioneve, SHBA kërkon që të ndalet çdo lloj ndikimi rus apo kinez në vend, sidomos në aspektin tregtar dhe ekonomik.
Forcimi ushtarak
Një tjetër fushë ku është diskutuar mes dy zyrtarëve të lartë është edhe ajo e bashkëpunimit ushtarak. SHBA vitin që vjen do i dërgojë një tjetër mesazh të fuqishëm Moskës përmes Shqipërisë, pasi do të zhvillohet një tjetër stërvitje ushtarake si ajo e “Defender 21”.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi dy korsi bashkëpunimi, në të cilat ka një intensifikim të madh në raport me disa vite më parë. Njëra korsi është korsia e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në fushën ushtarake. Ka pasur gjëra të reja në vijimësi. Jemi duke bashkëpunuar dhe kemi folur për ngritjen e Akademisë Rajonale të Mbrojtjes në Tiranë, mbi bazën e Akademisë sonë ushtarake dhe ndërkohë “Defender 21” ka qenë një histori suksesi që do të përsëritet në vijimësi.
Po ashtu, investimet në fushën e mbrojtjes do të vazhdojnë”, tha kryeministri Ram në një bisedë me gazetarët. Rama u pyet nga gazetarët edhe mbi mundësinë që në rast konflikti ushtarak, Shqipëria të shërbejë si vend strehimi mbi ukrainasit. “Ne nuk kemi probleme të kësaj natyre.
Ne, Ministria e Jashtme, i ka marrë të gjitha masat. Kemi disa qytetarë shqiptarë që kontribuojnë në misionin e monitorimit të OSBE-së dhe ata do të qëndrojnë atje sepse ky është roli i misionit të monitorimit.
E përsëris edhe një herë tjetër, që ne jemi shumë të nderuar dhe njëkohësisht edhe shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e pozicionit të ri që kemi marrë arenën ndërkombëtare, falë pranisë sonë në Këshillin e Sigurimit, gjë që e ndiejmë edhe nga rritja marramendëse e intensitetit të kontakteve të të tjerëve me ne, por nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë vendin tonë, pozitën tonë, pozicionin tonë, qëndrimin tonë”, tha Rama.