Presidenti Ilir Meta vijon të bëjë luftë të fortë në prapaskenë para vendimit për shkarkimin e tij si kreu i shtetit.
Pasi morri në shqyrtim vendimin e Kuvendit ët Shqipërisë, i cili e shkarkoi presidentin Meta një vit më parë me plot 104 vota, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim dhe pritet që brenda një muaj të vendosë për fatin e kreut të shtetit.
Por heshtja e Kushtetuese ka bërë që Meta të vihet në lëvizje, me shpresën se do t’ia hedhë paq nga kjo mesele. Ditët e fundit zoti Meta po shfaqet protagonist, duke bërë luftë të fortë, ndërkohë që po tenton edhe të qetësojë ujërat me mazhorancën socialiste.
Meta mban peng plotësimin e Gjykatës së Lartë
Kështu, kur kanë kaluar thuajse 6 ditë, presidenti Meta nuk ka vendosur ende që të dekretojë propozimin e kandidaturës së Arbena Ahmetit si anëtare e Gjykatës së Lartë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ia ka dërguar këtë kërkesë kreut të shtetit që në datën 10 shkurt dhe pret që ai ta dekretojë zonjën Ahmeti si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Mirëpo zoti Meta as që e ka vënë ujin në zjarr dhe po e zvarrit hedhjen e firmës, duke u shfaqur sa më protagonist.
Kjo do të thotë se presidenti po bën luftë të fortë para vendimit të shkarkimit, sikundër e tregon mbajtja peng e plotësimit të Gjykatës së Lartë, ndonëse duhet theksuar se ka edhe 4 ditët kohë për t’u shprehur për këtë çështje, për shkak se ligji i jep atij një afat prej 10 ditësh. Megjithatë, shfaqja kryeneçe e Metës pritet të dështojë, pasi në rast se ai refuzon të dekretojë emrin e Arbena Ahmetit si anëtare të Gjykatës së Lartë, hynë në lojë KLGJ.
Kjo e fundit sipas nenit 136 të Kushtetutës ka të drejtë që t’ia rrëzojë dekretin Metës. Pra sikundër bën Kuvendin i Shqipërisë, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor sipas ligjit ka të drejtë të rrëzojë dekretin e kreut të shtetit, ku në rastin konkreti nëse zonja Ahmeti nuk merr bekimin e Metës, ajo me shumicën e votave të anëtarëve të KLGJ, zgjidhet anëtare e Gjykatës së Lartë.
“Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet ndër të tjera në nenin 136 të Kushtetutës.
Presidenti i bllokon Ramës ambasadoren për në OSBE
Por bllokimi i vakancës për Gjykatën e Lartë nuk është e vetmja manovër që po bën presidenti Ilir Meta. Ky i fundit po aplikon modelin “sulmo dhe tërhiqu” edhe me mazhorancën socialiste, me shpresën se do të qetësojë ujërat me të.
Përplasja më e fundit mes Presidencës dhe qeverisë është në politikën e jashtme. Kryeministri Edi Rama ka propozuar ish-ministren e tij, Eglantina Gjermeni si ambasadore e Shqipërisë në OSBE, kërkesë kjo të cilën e ka dërguar në Presidencë.
Mirëpo për Presidencën kjo kërkesë bie ndesh me ligjin e Shërbimit të Jashtëm, e cila përcakton edhe procedurën e detajuar si veprohet në këto raste. Presidenca i ka kujtuar Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend se përpara se Meta të firmosë dekretin, duhet që ky komision të organizojë një seancë dëgjimore me kandidaten për ambasadore. Pasi ka marrë këtë letër, Komisioni i Jashtëm ka parashikuar një seancë dëgjimore të premten në 18 shkurt me Gjermenin, në përfundim të të cilës do të dërgojë në Presidencë një raport mbi këtë propozim.