Klubet më të rëndësishme të Europës janë duke u interesuar për yllin shqiptar të Southampton, Armando Broja, i cili është në pronësi të Chelsea-t.
Dy ditët e fundit është folur shumë se Arsenali e ka seriozisht interesimin për 20-vjeçarin shqiptar, por duket se edhe në rast se Chelsea do të jetë i gatshëm ta shesë lojtarin në fund të sezonit, sërish për “topçinjtë” e Londrës nuk do të jetë e lehtë. Në garë për gjigantin kuqezi janë edhe shumë skuadra të tjera nga Premier League, por jo vetëm.
“Express” ka shkruar këtë të martë se për Armando Brojën po interesohet edhe Bayern Munich dhe Borussia Dortmund.
Kampionët e Gjermanisë e kanë mbështetur sulmin e tyre këtë sezon te polaku Robert Lewandowski, i cili është në moshën 33-vjeçare.
Në anën tjetër, Dortmundi me shumë mundësi do të shesë sezonin e ardhshëm Haaland dhe Broja do të ishte zëvendësuesi ideal i norvegjezit.
Burime për median angleze pranë futbollistit shqiptarë kanë bërë të ditur se Broja është i hapur për çdo mundësi që mund t’i vijë në merkaton e verës, mjafton që atij t’i garantohet formacioni.
Klubi me të cilin Broja do të luajë vitin e ardhshëm ende nuk dihet, por e sigurt është që ai do të veshë bluzën kuqezi të Kombëtares shqiptare më 26 mars në sfidën ndaj Spanjës.