Mazhoranca socialiste është vënë në lëvizje pas deklaratës së bërë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se shumë shpejt pritet të arrestohet një ministër i qeverisë “Rama”.
Dy ditë më parë kryedemokrati Basha gjatë një konference për shtyp nga selia blu u shpreh se emri i ministrit të tretë që do të përfundojë pas hekurave për shkak të përfshirjes në aferën e inceneratorëve, do të dalë shumë shpejt.
Por kjo deklaratë duket se ka vënë në lëvizje kryeministrin Edi Rama, i cili ka hedhur në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar të gjithë emrat e zhytur në afera.
Ka qenë kreu i grupit parlamentare të PS, Taulant Balla, i cili dje ka zhvilluar një takim me Kryesinë e grupit, ndërkohë që gazeta ka mësuar se kanë qenë disa çështje që janë trajtuar aty, duke filluar nga miratimi i reformës zgjedhore dhe territoriale, deri tek debati mbi inceneratorët.
Për këtë të fundit, sipas informacioneve, mësohet se me porosi të kryeministrit Rama që ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA, zoti Balla ua ka bërë të qartë deputetëve, se Partia Socialiste nuk do të jetë mburojë për askënd që ka punë me drejtësinë dhe se sipas tij, kushdo duhet t’i dalë vetë për zot SPAK-ut nëse ajo e thërret.
Pra fakti që shefi i grupit të socialistë ka zhvilluar një mbledhje vetëm me deputetët të ngushtë, tregon qartë se deklarata e Lulzim Bashës i ka trembur deri duke, çka tregon se pritet të shohim reprezalje në radhët e PS.
Reforma zgjedhore dhe territoriale
Por “inceneratorët” dhe deklarata e Bashës, nuk ishin të vetmet çështje që janë diskutuar dje mes Taluant Ballës dhe Kryesisë së grupit parlamentar. Sipas informacioneve, mësohet se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore dhe territoriale, për të cilat Partia Socialiste ka dhënë garanci se do t’i çojë përpara.
Mësohet se në këtë mbledhje zoti Balla është shprehur para deputetëve se PS është e gatshme që t’i japë vendit një Kod të ri Zgjedhor dhe ndarje të re territoriale në bashkëpunim me Partinë Demorkatike.
Madje për të treguar se janë gati, gazeta ka mësuar edhe emrat e deputetëve që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në komision për “zgjedhoren” dhe që kanë marrë edhe bekimin e Kryesisë së Grupit të PS.
Kështu mësohet se Damian Gjiknuri do të jetë bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nga Partia Socialiste, ndërsa anëtarë do të jenë Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.
Ndërkohë mësohet se anëtarë zëvendësues për këtë komision nga PS do jenë Gledis Çeliku, Jurgis Çyrbja dhe Xhemal Qefalia. Ndërkohë sa i takon reformës zgjedhore dhe territoriale, dje ka folur pas mbledhjes me Kryesinë e grupit parlamentar të PS, edhe deputeti Taulant Balla, i cili dha garancinë se mazhoranca do të bëjë maksimumin.
“E para ne kemi dhënë aprovimin dhe mbështetjen për ngritjen e komisioneve dhe të enjten votohet edhe për përbërjen e tyre. PS do ketë 8 anëtarë në secilën prej komisioneve. Bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore do të jetë z. Gjiknuri.
Kjo reformë duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ligjin për financimin e partive politike. Ndërkohë që sot kemi biseduar për përbërjen e Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale. Mandati do jetë 6 mujor dhe unë mendoj se 6 muaj janë shumë për të parë të gjitha propozimet”, deklaroi Balla.