Prokuroria e Posaçme ka në duar dy dosje kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka nisur një sulm frontal ndaj drejtësisë, por duket se lepuri fle diku tjetër.
Ka qenë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ai i cili foli dje me kritika për punë e Prokurorisë së Posaçme. Balla zbuloi se dosja e famshme e privatizimit të OSSH nga CEZ është tashmë në duart e prokurorëve specialë.
“Prokuroria Speciale Antikorrupsion ka detyrimin që t’i përgjigjet Kuvendit të Shqipërisë prej disa vitesh tashmë, për disa kallëzime penale që edhe unë kam bërë. Ka një padi nga ana e Kuvendit në ngarkim të shtetasit Sali Ram Berisha, pas vendimit përfundimtar të komisionit hetimor për privatizimin e OSSH.
Prej vitit 2017 dosja ka kaluar te Krimet e Rënda dhe dosja për pasojë, duke qenë se ligji e parashikon si subjekt të SPAK, dosja duhej hetohej nga Prokuroria Speciale.
Ajo që më vjen keq që në mënyrë të përhershme e kam përsëritur thirrjen time që Kuvendi i Shqipërisë, nga prokuroria, të gjitha nivelet e saj, kërkojmë një përgjigje se çfarë u bë me atë kallëzim”, tha Balla. Ai përmendi edhe rastin e Nuel Kalajt, i cili dyshohet se është sekseri që negocioi privatizimin e OSSH.
“Bëhet fjalë për një aferë as më pak e as më shumë po 418 milionë euro të humbura nga buxheti shqiptar. Është rasti unik kur Kuvendi, komisionet hetimore, kanë përfunduar me një raport, merreni lexojeni raporti është votuar dhe nga Ilir Meta, atë kohe kryetar Kuvendi.
Aty është detajuar e gjithë skema e ryshfeti kur një person me emrin Nuel Kalaj shkoi në një bankë të nivelit të dytë, e ka tërhequr atë që quhet fija e suksesit për privatizimin e kompanisë OSSH te një kompani e huaj dhe sot nuk ka asnjë përgjigje”, tha Balla.
Kompleksi Partizani
Një dosje tjetër që ka në dorë Prokuroria e Posaçme është ajo e privatizimit të Klubit Partizani. Në këtë padi të bërë nga Balla, akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Balla tha dje se është caktuar prokurori, por nuk ka të dhëna mbi ecurinë e hetimeve dhe kërkoi nga SPAK që të nxitojë.
“Kam bërë jo më larg se 1 vit e gjysmë më parë një kallëzim për privatizimi e një prej komplekseve më të bukura sportive, Kompleksi Partizani. Jemi njoftuar në një njoftim publik nga SPAK se një prokurore apo prokuror e ka marrë këtë dosje. Unë që jam kallëzues nuk jam thirrur asnjë herë dhe do i kërkoja që këto institucione të bëjnë detyrën e tyre dhe ne të presim verdiktin e tyre”, tha ai.
Ndërkohë gazeta ka mësuar nga burime brenda prokurorisë së Posaçme se prokurorja që ka në dorë çështjen e kompleksit Partizani është Enkelejda Millonai. Ajo është një prokurore që nuk ka pasur shumë çështje të mëdha në duar.
Dosja më bujshme ishte ajo e hetimit për të ngelurit në veting ku u kërkua pushimi i çështjes për disa gjyqtarë, por që gjykata e ktheu pas. Pra duket se ka dy raste në SPAK kundër Berishës dhe socialistët presin rezultate.