Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka shpërthyer në sulme dhe kritika ndaj Ministrisë së Bujqësisë.
Gjatë fjalës së tij, dje në Kuvend, ai ka kërkuar interpelancë me ministren e Bujqësisë Frida Krifca duke denoncuar humbjet e fermerëve për shkak të rritjeve të plehrave kimike dhe produkteve të tjera bujqësore. Braçe tha, se sektori i bujqësisë është në krizë.
Ai theksoi, se rritja e çmimeve ka ndodhur edhe në Greqi, me rreth 20 euro, ndryshe nga Shqipëria ku çmimi është trefishuar. “Ekonomia është rritur, por jo bujqësia. 45 për qind e popullsisë së vendit që ndodhet në fshat duket si e përjashtuar nga rritja ekonomike, kjo është pabarazi.
Rritja ekonomike me pabarazinë si kosto është iluzion. Ka arsye pse ndodh kjo. Në bujqësi kanë rëndësi dy elementë, kostot e prodhimit dhe çmimet e produkteve bujqësore”, tha ai.
Sipas Braçes, bujqit dalin me humbje në çdo investim që bëjnë. Ai vijoi më tej duke thënë, se bujqit po i shesin prodhimet e tyre me çmim nën kosto.
“Janë rritur eksportet në janar, por si shpjegohet që bujqësia jo, numrat janë të INSTAT jo të miat, por salca bëhet nga domatja që është me çmim të lirë, nën kosto. Mbështetja buxhetore në Lushnjë, si ka mundësi që shesin nën kosto, dalin me humbje”, tha Braçe.
Braçe flet për rritjen e plehrave kimikë
Ndërkohë, deputeti socialist u shpreh se është rritur nafta dhe plehrat kimikë. Ai theksoi, se rritja e këtyre të fundit e nxjerrin bujkun me humbje. Ai tha, se një tjetër problem mjaft shqetësues për fermerët është edhe bllokimi i tregut.
“Nëse kostoja rritet dhe në të ndikojnë nafta, plehra dhe çmimet e prodhimit bujqësor mbeten në vend, bujku falimenton, nëse ndodh dhe për një cikël të dytë prodhimi s’ka më para për të mbjellë.
Ka tre probleme të mëdha këtu, e para është bllokimi i tregut nga karteli i grumbulluesve, skema e TVSH-së që ne bëmë në dhjetor dhe nuk lejon që në derë të secilit këtyre bujqve të paraqitet një grumbullues që merr përsipër një humbje 20 % mbi kurrizin e vet dhe e treta humbja e krahut të ri të punës që po e bën më të shtrenjtë punën në bujqësi”, u shpreh Braçe.
Nga ana tjetër, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca iu përgjigj akuzave të deputetit socialist. Në fjalën e saj, Krifca tha, se qeveria po e ndjek me vëmendje situatën e rritjes së çmimeve.
Ajo vijoi më tej duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të tregut global. “Rritja e çmimeve dhe inflacioni është një sfidë për të gjithë. Të ndërgjegjshëm, të shqetësuar si ju si dhe për peshën që sektori mbart qeveria shqiptare qëndron në krah të fermerëve.
Buxheti i akorduar për ta është më i larti që nga viti 1991, me 3.2 mld lekë në mbështetje të drejtpërdrejtë. Po e ndjekim situatën e çmimeve me shumë vëmendje. Jemi të vëmendshëm që kjo situatë të mos shfrytëzohet në mënyrë spekulative nga ofrues të imputeve bujqësore.
Rritja e çmimeve të plehrave kimike reflekton ndikimin e rritjes globale të çmimeve të inputeve”, tha Krifca.