Themeluesi i Partisë Demokratike në Shkodër Xhemal Uruçi ka analizuar figurën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe aksionin e tij politik në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Më tej Uruçi ka komentuar edhe shpalljen non grata të Berishës. Uruçi shprehet se Berisha nuk duhet të ëndërrojë se do t’i hiqet non grata, pasi kurrë nuk do të ndodhë kjo gjë dhe se non grata do ta shoqërojë Berishën gjithë jetën e tij.
“Kurrë nuk do t’i hiqet non grata Sali Berishës, as mos t’i shkojë mendja fare, nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Non grata nuk do t’i hiqet Sali Berishës, ajo do ta shoqërojë atë gjithë jetën e tij.
Nuk duhet të shohë ëndrra kot. Non grata nga SHBA është e qartë, mos eja në shtëpinë time, je i padëshiruar!”, u shpreh Xhemal Uruç inë emisionin “Shqip” .
Më tej Uruçi tha se Sali Berisha është një person tepër i rrezikshëm për fatet e Shqipërisë dhe partisë Demokratike. Uruçi shprehet se në zgjedhjet e 6 marsit, Berisha do të shqyejë partinë Demokratike.
“Sali Berisha po manipulon interesaxhinjtë që mendojnë se duke fituar ai, do të fitojnë edhe ata. Kështu që Sali Berisha është një person tepër i rrezikshëm për fatet e Shqipërisë. Sigurisht që ai nuk mund të bëhet aq i fuqishëm sa të dominojë në politikë, por ai është duke shqyer partinë Demokratike.
Në këto zgjedhjet e 6 marsit, Berisha do ta shqyej PD dhe kjo parti vështirë që të bëhet përsëri një forcë e rëndësishme për të konkurruar për vendin e parë për të ardhur në pushtet.”, u shpreh Uruçi.