Drejtësia e re duket se është kthyer në makth për pushtetarët e korruptuar. Ka shumë emra që po luftojnë nën rrogoz që kjo reformë të dështojë, por amerikanët duken të vendosur për të ndëshkuar të korruptuarit.
Falë presionit të tyre, sot janë pas hekurave dy ish-ministra, ndërkohë që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është dënuar me 2 vite burg. Por gazeta ka mësuar se do të ketë zhvillime të forta në ditët në vijim.
Në Tiranë kanë mbërritur dy zyrtarë të lartë të FBI, të cilët janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të drejtësisë, shoqërisë civile dhe të politikës.
Lajmi është bërë i ditur dje në mbledhjen e grupit të PD. Ka qenë kryedemokrati Lulzim Basha, ai i cili ka thënë para deputetëve se agjentët e FBI kanë disa ditë në Tiranë dhe kjo ka shqetësuar shumë politikanë.
“Dy agjentë të lartë të FBI kanë ardhur në Tiranë për takime të rëndësishme dhe kjo ka frikësuar “trekëndëshin e Bermudës”. Mesazhi i tyre ndaj Tiranës zyrtare është që të kalojë gjithë drejtësinë në sitën e vetingut dhe më pas SHBA do të japë ndihmë të madhe në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve, pasi kanë dosje plot për zyrtarë VIP.
FBI ka ngritur shqetësimin se nuk mund të sjellë dosje dhe informacione derisa ka një sistem të pa vetuar ende dhe që ende ka të dhëna për kapjen e sistemit nga politika”, mësohet të jetë shprehur në vija të përgjithshme Basha.
Sinjalet janë se me ndihmën e amerikanëve do shkohet te hapja e shumë dosjeve të bujshme dhe arrestime në nivel politik. Në duart e SPAK ka shumë politikanë që po hetohen dhe fakti që vijnë përfaqësues të FBI në këtë moment është një sinjal se do të kemi goditje të bujshme.
Paralajmërimet e SHBA
Amerikanët kanë bërë gjithmonë thirrje që të goditen të gjithë të korruptuarit dhe t’i jepet fund fenomenit të pandëshkueshmërisë. Vetë ambasadorja Yuri Kim pak javë më parë në një intervistë televizive e bëri të qartë se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe të korruptuarit do të ndëshkohen.
“Do ta përsëris – jemi seriozë sa më s’ka për korrupsionin dhe jemi seriozë sa më s’ka për t’iu kërkuar llogari atyre që përfshihen në akte korrupsioni domethënës, atyre që abuzojnë dhe tradhtojnë besimin publik për përfitimet e tyre.
Ndaj, nuk mendoj se mund t’i shtoj shumë këtyre fjalëve për të sqaruar se cili është pozicioni ynë, por duhet të jetë shumë, shumë e qartë për cilindo se ku qëndrojnë Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje”, tha ambasadorja.
Gjatë vizitës në Tiranë një mesazh të ngjashëm dha edhe zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili tha se SHBA mbështet reformat e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe kërkoi që të vijohet përpara në këtë aspekt. Mesazhi që po jap është:
I shohim partnerët tanë mes njerëzve që janë të përqendruar tek integrimi europian, partneriteti në NATO, dhe kundër korrupsionit. Me këta jemi në partneritet.
Dhe meqë ra fjala, nuk janë të gjithë në sferën politike, ndaj, nëse nuk i gjejmë në sferën politike, do t’i gjejmë tek shoqëria civile, në grupet e të rinjve, në sektorin privat, kemi shumë partnerë këtu dhe do t’i bëjmë gjërat të ndodhin”, tha ai./Kliti Topalli