Analisti Frrok Çupi, ka folur për dyshen Berisha-Meta. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se presidenti Meta dhe Berisha me koalicionin që bënë duan që të vijnë sërish në pushtet.
Ai theksoi, se hera e fundit kur Berisha dhe Meta bënë një “film të ri” ishte protesta e 8 janarit në PD. “Këta të dy duan ta sundojnë prapë popullin, por cilin popull?! Popullin as e njohin dhe as i njeh.
Ai ishte një film i vjetër. Megjithatë, filmi vazhdon të luhet në ekran: As aktorët nuk i kanë parë kurrë spektatorët, as salla e kinemasë nuk e njeh më këtë film.
Ka ndërruar shekulli. Hera e fundit kur Berisha- Meta bën çak-un e filmit të ri, ishte 8 janari i sulmit mbi selinë e Partisë Demokratike. Mjetet e ushtrisë së Berishës dhe Metës, ishin të kohës së qepës:
“Balli i dashit”, shulat e sulmit, sfurqet dhe hanxharët edhe ushtarët- të po asaj kohe: Sapo morën pagesën, të ardhurit për luftë, ikën lan sulmin dhe hynë në Lanë ku pinë ujë dhe lanë fytyrën me at ujë flori që vinte nga gjithë banjat e Tiranës”, tha ai.
Ndër të tjera, analisti u shpreh se presidenti Meta pritet që të lërë shumë shpejt zyrën duke nënkuptuar se do të shkarkohet. Ai theksoi, se atëherë presidenti do të jetë përballë qytetarëve dhe drejtësisë.
“Së shpejti Ilir Meta, që mbante shtyllën e Berishës deri tani, do të lërë selinë dhe vulën e presidentit, e atëherë do të jetë i vetëm në fushën e qytetarëve ku ka pështyrë, ka manipuluar, ka grumbulluar pasuri si mes qorrash. Së shpejti mund të jetë dhe para drejtësisë.
Ashtu si të dy së bashku do të shfaqen në filmin e ri: të kërrusur para depos ku dorëzohen sendet e vjedhura, dhe ku do të bëjnë rolin e të munduarit: ‘Ja, po ua dorëzojmë floririn.., por haram!’.
Konfiskimi i pasurisë së tyre të paligjshme do të jetë akti ku paqësohen ‘të mallkuarit’ e popullit të ri… Njësoj si ajo ditë e 23 korrikut ’97 kur nga Presidenca nisën të lahen me zorrë uji shtresat e holleve, pllakat e rrugicave dhe bari i oborreve të presidencës; gjithçka ishte ndotur nga ushtarët pa toilete”, tha ai.