Kryeministri Edi Rama u takua dje me ambasadoren e Shteteve të Bashkua të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, përpara vizitës së tij në Uashington. Ambasada amerikane ishte ajo që e bëri të ditur një gjë të tillë, teksa ka zbardhur dhe fokusin e takimit.
Ambasadorja Kim përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s, ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkëpenëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës.
“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC. Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenarë që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkëpenëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës.
Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin.
Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë dje ambasadorja ka pasur një takim edhe me deputetin e PD Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit mori pak ditë më parë postin e nënkryetarit të Kuvendit. “I kënaqur të takohem me deputetin Agron Gjekmarkaj sot. I urojmë gjithë të mirat në përgjegjësitë e reja drejtuese si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe presim bashkëpunim të fortë”, shkruan Kim.
Partia Demokratike nuk e ka zyrtarizuar ende votën pro zgjatjes së afateve të vetingut, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar vazhdimisht takime me diplomatët e huaj në vendin tonë. Kujtojmë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion që zgjatja e afateve të vetingut të votohet.