Dalin në dritë të tjera detaje nga skandalet me tenderat e shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë.
“Together for Life” ka hartuar një raport për tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rezulton se shkeljet janë të shumta. Sipas raportit, Ministria e Shëndetësisë është në krye të ministrive me më shumë ankesa sa i takon parregullsisë së tenderave.
“Nga 6440 procedura të prokurimit publik të publikuara (përjashtuar ankandet dhe koncesionet) të kryera nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2020, për 532 (8.2%) prej tyre, kompanitë pjesëmarrëse kanë paraqitur ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). MSHP renditet e dyta pas Agjencisë së Prokurimit për numrin e madh të ankesave, 26 në total ose rreth 5% e numrit të përgjithshëm të ankesave.
Bazuar në numrin total të ankesave të shqyrtuara nga Komisioni i Prokurimit Publik, rezulton se 42.7% (317) prej tyre janë ankesa për procedurat e prokurimit që i përkasin kategorisë “mallra”. MSHP renditet e dyta me 20 ankesa nga kompanitë pjesëmarrëse në tenderat për blerje mallrash”, thekson raporti. Një skandal tjetër sipas tij është se nuk përputhen të dhënat që janë publikuar nga APP dhe ato në sistemin e Thesarit.
“Janë konstatuar mospërputhje në të dhënat e kontratave të nënshkruara të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) me ato të regjistruara në SIFQ (në sistemin e thesarit të Ministrisë së Financave). Sipas APP-së, MSHP-ja renditet e para për këtë shkelje, ku nga 601 procedura prokurimi të kryera, vetëm 5 kontrata kanë rezultuar me SIFQ”, thekson raporti.
Detajet
Në raport jepen detaje edhe mbi tendera specifikë. Aty tregohet se si Ministria e Shëndetësisë dështoi me blerjen e respiratorëve. “Gjatë vitit 2020, sipas kontratës është dashur të blihen 54 respiratorë, por janë siguruar vetëm 5 të tilla. Me këtë dështim të kontratës, autoriteti kontraktor (në këtë rast MSHP) ka krijuar një dëm prej 15 milionë lekësh që vijnë nga mungesa e llogaritjes së penaliteteve dhe mungesa e sigurimit të kontratës si pasojë e furnizimit me vonesë dhe mungesës së furnizimit, për kontratën “Furnizim me respiratorë me dy modalitete për të rritur dhe mosha pediatrike për Covid-19″.
Në fund u siguruan vetëm 5 respiratorë, nga 54 që nevojiteshin për të përballuar situatën me COVID-19, duke rrezikuar kështu shëndetin publik”, thekson raporti. Më tej bëhet e ditur se nga fillimi i pandemisë deri në fillim të dhjetorit 2021, autoritetet e shëndetit publik në të gjithë vendin kanë kryer 198 procedura prokurimi në lidhje me përballimin e krizës shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19.
Vlera e limitit të fondit të disponueshëm ishte 5.3 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e deklaruar e fituesit ishte 4.4 miliardë lekë pa TVSH. Po ashtu raporti thekson se janë zhvilluar 90 tendera vetëm me një kompani konkurruese, e cila ka përfituar një vlerë prej 2.3 miliardë lekësh nga limiti i fondit të planifikuar prej 2.5 miliardë lekësh.