Rindizet beteja për Gjykatën Kushtetuese. Teksa presidenti është në prag shkarkimi, duket se do kemi emra VIP që garojnë në gjykatën më të rëndësishme të vendit.
Pak kohë më parë ishte gazeta “Sot” që paralajmëroi se kreu i KLP, Gent Ibrahimi pritet të futet në Kushtetuese dhe dje kjo gjë është konfirmuar zyrtarisht. Presidenca ka njoftuar dje se kanë shfaqur interes për vendin e Përparim Kalos plot 10 persona.
Pak kohë më parë Kushtetuesja vendosi që Kalo të lërë detyrën në pranverë dhe pasardhësi i tij do ketë mandat 9-vjeçar. Kjo ka bërë që të shfaqin interes disa emra të njohur. Presidenca njoftoi se kanë shfaqur interes kreu i KLP, Gent Ibrahimi, i cili e ka mbyllur mandatin dhe pritet të zëvendësohet. Një tjetër emër që ka shfaqur interes është Arta Marku, ish-kryeprokurorja e përkohshme. Po ashtu është rikthyer në skenë Arta Vorpsi, e cila futi në sherr Kuvendin dhe Presidencës në vitin 2019.
Emra të tjerë të njohur janë Maksim Qoku i KLGJ dhe Sandër Beci i KLP. Po ashtu ka shfaqur interes Besnik Dervishi, Komisioneri për mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Emër tjetër është Ardita Buna pedagoge, e cila ka garuar dhe më herët për këtë post. Emër tjetër i njohur është Juliana Latifaj, ish-kryetare e Autoritetit të Konkurrencës. “Lista e aplikantëve të mësipërm dhe dokumentacioni për secilin kandidat i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikim dhe vlerësimin e tyre në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit. Institucioni i Presidentit të Republikës, referuar pikës 2 të nenit 7/b, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, gjen rastin të kujtojë se, të gjitha institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, njoftoi Presidenca.
Meta jashtë loje
Lista tani i ka kaluar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ky i fundit do të nisë një proces verifikimi për të gjithë emrat.
Duke qenë se kemi të bëjmë me emra që kanë kaluar më parë në filtra, verifikimi procesit pritet që të mos zgjasë shumë. KED pasi të bëjë verifikimin do dërgojë në Presidencë emrat sipas renditjes dhe presidenti duhet të zgjedhë një mes 3 emrave të parë. Por duke parë dhe afatet, sinjalet janë se emri i ri mund të mos zgjidhet nga Meta.
E para ky i fundit është në proces shkarkimi dhe vendimi merret këtë muaj. Por edhe nëse nuk shkarkohet ai në korrik mbyll detyrën dhe duket disi e vështirë që KED ta ketë mbyllur procesin deri në këtë muaj.
“Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve, thërret mbledhjen e Këshillit që shqyrton plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Njoftimi për thirrjen e mbledhjes është publik dhe përmban datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.
Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në ligj./Sot