Ambasada Amerikane në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, kanë kërkuar shtyrjen e afateve të vetingut.
Me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp, Ambasada dhe BE nënvizuan se vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është element thelbësor i reformës në drejtësi. Në deklaratë thuhet se që institucionet e vetingut të kryejnë misionin e tyre, është e nevojshme zgjatja e mandatit të tyre.
“Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka bërë përparime në reformat e anëtarësimit në Bashkimi Evropian. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësor ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është element thelbësor i reformës në drejtësi, në mënyrë që institucionet e vetingut të kryejnë misionin, është e nevojshme zgjatja e mandatit të tyre.
Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera, në deklaratë thuhet, se zgjatja e propozuar për zgjatjen e afateve të vetingut mbështetet edhe nga miqtë e Shqipërisë. Në deklaratë theksohet, se të gjithë deputetët duhet që ta votojnë zgjatjen e afateve të vetingut.
“Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që duan ta shohin Shqipërinë në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është një çështje partiake.
Shpresojmë që të gjithë deputetët, pavarësisht partisë të cilës i përkasin, ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar ashtu si kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian“, shton deklarata.