Ish-deputeti socialist Spartak Braho ka lëshuar dje kritika të forta sa i takon aleancës Meta-Berisha. Në studion e “Front Line” në News 24”, ai e cilësoi si një aleancë të turpshme, ndërsa u shpreh se është e rëndë për një president që të shkojë te bashkëpunimi me Berishën.
Megjithatë sipas tij, Presidenti është në grahmat e fundit. “Po formësohet rishtazi një pol i ri që i takon gjysmës së mbetur të PD. Është poli i Berishës por sa kohë nuk e ka të legalizuar është i jashtëligjshëm, dhe ka shkuar të futet në kazanin e Ilir Metës, Turp. Por e çeli me mjaltë dhe po e mbyll biografinë e tij me diçka të ndyrë.
Sot ai e ka mbyllur, këto janë grahmat e fundit”, tha ai. Sipas tij, Berisha dhe LSI po e përdorin politikën si mjet pasurimi. Braho u shpreh se duhet të dalë një pol tjetër politik në këtë situatë ku ndodhet politika shqiptare. “Përveç politikës këta nuk merren dot me punë tjetër dhe politika është bërë mënyrë jetese dhe këtu futet edhe mjeti i pasurimit dhe këtë të fundit ta hetojnë organet se sa të ndershëm janë.
Të dy kanë mbaruar aktivitetin e tyre politik për mua. A do të dalë një forcë e re? Për mua ka nevojë të dalë një forcë e re . Deri tani shoh vetëm të djathtën. U martua breshka me gjarprin dhe lindi tel me gjemba. Ky (Berisha) bashkohet me Ilir Metën dhe kemi tel me gjemba”, tha ai.
U cenuan raportet me SHBA
Braho deklaroi më tej se Meta ka vënë në rrezik marrëdhëniet shqiptaro-amerikane duke kujtuar deklaratën e tij për pushkatimin tek Mali me Gropa. “Ky njeri i thotë ambasadës amerikane më pushkatoni tek Mali me Gropa, më hidhni dhe një raketë. E kupton ça marrëzirash ka nxjerrë nga goja?! Ka vënë në rrezik marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Ky flet sikur flet me Maduron. Falsifikim do të thotë paraqitja e të dhënave që dihet që janë të rreme. Jo data 6 po data 7, ja është 6, ja është 7, çfarë ndryshojnë këto nga çështja, në përmbajtje, jo në procedurë, në anën formale.
Gjykata Kushtetuese ka mbaruar hetimin gjyqësor, janë mbyllur fletët, është tërhequr për vendim. Pretendimet e palëve dorëzohen gjatë kohës që gjykata është në aktivitet, i ka mbyllur.
T’u drejtohen organeve përkatëse, por kjo nuk e pezullon çështjen, nuk e pezullon vendimin. Ilir Metën e ka gjetur si puna e Zylos në fshatin tim, që hyri në pyll, për t’i dhënë kurajë vetes bërtiste, nga e bërtitura qante, pastaj qeshte. Ai qesh për t’i nxjerrë frikën vetes. Frikë nga shkarkimi”, tha Braho.
Meta krijon insinuata kundër SHBA, po sillet si Enver Hoxha
Braho foli më tej për gjuhën e përdorur nga Presidenti për ambasadoren e SHBA-ve. “Ky krijon insinuata kundër institucioneve kryesore që përfaqësojnë SHBA-të në Shqipëri, personaliteteve që përfaqësojnë këto institucione. Këto gjëra i ka vënë në dukje herë pas here jo vetëm znj. ambasadore, por edhe DASH.
Anormale, por me pasoja sepse cenon marrëdhëniet e rëndësishme me SHBA-të. Mos bën lojën e tjetër kujt ky? Ku di unë, për çfarë përplaset ai? Kujt ia tregon ai Malin me Gropa. Me kë flet, me Maduron? Janë akuza shumë të rënda, që prekin thelbin e atyre marrëdhënieve që kanë 100 vjet që janë vendosur mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, me shumë sakrifica, me ulje-ngritjet e tyre.
Këto punë vetëm Enver Hoxha i bëri që i përzuri përfaqësuesit e SHBA-ve në 1946. Si e ke në zemër Amerikën? Amerika do të vrasë ty. Në cilën zemër të tij qëndron Amerika? Janë banalitete dhe më vjen keq të harxhoj kohën me këto”, tha ai.