Afrim Imaj
Të vërtetat e misionit të Avdul Banushit në Shqipëri nuk u zbardhën asnjëherë në vitet e diktaturës. Për herë të parë, opinioni filloi të njihet me to, kur atentatori i Enverit doli nga burgu në vitin ‘91.
Përtej këtij fakti, Hodo Banushi, vëllai i tij, kujton se jetëshkrimi i Avdulit dhe aktiviteti në shërbim të kauzës për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, ka ende mistere e të panjohura, për të cilat ai nuk pranoi të dëshmojë kurrë sa ishte gjallë.
Sidoqoftë, për aq sa i vëllai ka mësuar gjatë kohës që bashkëjetoi me të në liri, është njohur nga afër me ngjarje e histori të padëgjuara. Modestia me të cilën Hodo Banushi i ritregon, të krijon përshtypjen sikur bëhet fjalë për ndodhi të zakonshme, pavarësisht peshës dhe dramaticitetit që kanë.
Meraku për të shmangur imazhin e gjërave të jashtëzakonshme, të heroit të padëgjuar, të antikomunistit të orëve të para, e preokupon fund e krye në bisedë, aq sa hera-herë, duhet të ndalojë si për të verifikuar tregimin e tij.
E quan pa vend t’u kthehet vuajtjeve e persekutimit të familjes dhe fisit të tij si “çerdhe e banditit që do vriste Enverin”, pavarësisht “kostos” që kishte dhe ndihet me fat që mundi ta prekë nga afër materien, për të cilën Avduli u bë miti dhe legjenda e Sigurimit të Shtetit.
Në rrëfimin për Gazetën “Panorama.al”, Hodo Banushi priret të hedhë dritë mbi kontributin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të vëllait që sakrifikuan dhe u martirizuan sa dhe Avduli, i bindur se kështu i shërben edhe amanetit të tij. Këtë histori, jo rastësisht Banushi e nis me vëllezërit Bineri, shtëpia e cilëve në qendër të Tiranës, u bë streha e të vëllait në ditën që kishte vendosur për t’i bërë atentat Enver Hoxhës…
Zoti Hodo! Në kujtimet e Piro Nuredinit, operativit të burgut që ka mbajtur në përpunim vëllain tuaj, Avdulin, kur vuante dënimin, pohohet se Sigurimi i Shtetit ka këmbëngulur deri në fund për të zbuluar fakte e ngjarje që ai nuk pranoi t’i dëshmonte gjatë procesit të hetimeve dhe seancave gjyqësore. Çfarë synohej me këtë praktikë të fshehtë?
E vërteta është se Avdul Banushi, që nga dita kur ra në grackën e Sigurimit të Shtetit, e deri sa u dënua me vdekjepushkatim, nuk pranoi asgjë nga akuzat e policisë sekrete.
Çfarë nuk përdorën për ta nënshtruar, por nuk ia dolën. Për dy vjet me radhë e mbajtën të lidhur në një arkivol të ngushtë në burgun e Tiranës, duke e pyetur orë e çast, por Avduli nuk e hapi gojën.
I shkuan aty disa herë vetë Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, duke përdorur lloj-lloj alibish, por u kthyen duarbosh. Deri në momentin kur i komunikuan dënimin kapital, nuk zbuloi asgjë rreth misionit special, bashkëpunëtorët, bazat në Shqipëri, lidhjet me kolegët, etj. Madje, edhe gjatë viteve të burgut në Burrel, kur ishte në përpunim të fshehtë, nuk ofroi asnjë të dhënë e informacion lidhur me aktivitetin kundër regjimit…
Megjithatë, siç bën të ditur oficeri i sigurimit të burgut, një moment ka pranuar t’i tregojë në mirëbesim ndodhi e fakte që kishte mohuar t’i zbardhte gjatë procesit gjyqësor…
Unë jam njohur me kujtimet e Piro Nuredinit, para se të bëheshin publike. Madje, kam ndenjur e biseduar gjatë me të. Kam folur sakaq me Avdulin pas daljes nga burgu dhe kam krijuar një ide të qartë mbi këtë histori.
Piroja si oficer sigurimi, ka mundur të fitojë në një farë mase besimin e Avdulit, duke operuar me mjete psikologjike të fokusuara kryesisht te sensibilitetet familjare. Falë përpjekjeve të tij, ne u takuam me Avdulin pas 25 viteve, vendosëm kontakte të shpeshta me të, shkëmbenim korrespodencë të rregullt, siguronim ndihmë financiare, etj.
Kjo sjellje njerëzore e operativit të burgut e bëri disi për vete Avdulin, që nuk hezitoi t’i ofronte ndonjë informacion të pazbardhur më parë. Kjo është e vërtetë, por nga bisedat me Avdulin pas viteve ‘90, kam mësuar se ato që ka konsumuar me Piron kanë qenë periferike e të parëndësishme…
Gjithsesi, operativi i Sigurimit pohon se Avduli i ka treguar bazat e organizatës jashtë shtetit, krerët e saj, mënyrën e veprimit, qëllimin e misionit në Shqipëri në ’74-n, madje edhe shtëpinë nga do qëllohej Enveri në tribunën e paradës…
Në pamje të parë, duket sikur një moment Avduli është rrëfyer dhe në fakt ka treguar gjëra, të cilat nuk ka pranuar t’i pohojë në procesin gjyqësor. Po çfarë ka dëshmuar në mirëbesim për operativin e burgut? I ka treguar disa nga bazat e “Frontit të Rezistencës” jashtë vendit, të cilat ishin dekonspiruar prej kohësh, por jo ato që kishin në Shqipëri.
I ka treguar synimin e misionit për asgjësimin e Enverit në nëntor të ‘74-s, të cilin Sigurimi e kishte zbardhur me detaje, por asnjë nga bashkëpunëtorët e tij. I ka folur për mënyrën si operoi në Tiranë ditën e paradës së 30-vjetorit, por nuk i ka ofruar gjë për bazën sekrete te Shallvaret.
Ka zbardhur para tij gjithashtu emrat e disa agjentëve të huaj me rezidencë në Tiranë, por kur ishin zbuluar si të tillë dhe kishin përfunduar misionin në Shqipëri. Pra, në një farë kuptimi informacione që nuk rrezikonin njeri dhe nuk u shtonin ndonjë vlerë të rëndësishme në dosjet e policisë sekrete. Një pjesë të këtyre të dhënave, Avduli i konsumonte në funksion të represionit që Sigurimi i Shtetit ushtronte mbi familjarët e tij…
Në dosjet e Sigurimit konfirmohet se Avduli ka pasur një bazë sekrete në qendër të Tiranës, të cilën nuk e dekonspiroi asnjëherë. Ju tregoi gjë për të kur doli nga burgu?
Avduli më ka shpjeguar se baza e tij kryesore në Tiranë ka qenë shtëpia e Selim Binerit, te Shallvaret. Kjo falë miqësisë së vjetër me vëllezërit Bineri dhe njohjes me të zonjën e shtëpisë, nënë Safon. Ai, deri në fund të jetës, nuk rreshti së shprehuri mirënjohjen për besnikërinë e tyre. Edhe gjatë ditëve kur organizoi operacionin për të vrarë Enver Hoxhën, ishte aty…
Në nëntor të vitit ’74, Avdul Banushi u fut ilegalisht në Shqipëri për t’i bërë atentat Enver Hoxhës. Çfarë u ka shpjeguar për rrethanat e organizimit të këtij misioni dhe protagonistët e tij?
E vërteta është se Avduli pas burgut fliste pak dhe nuk kishte dëshirë t’u kthehej ngjarjeve të kaluara, qoftë edhe këtij fakti të bujshëm. Kur binte fjala për të, mundohej ta përshkruante telegrafisht, duke konturuar një kronikë të përgjithshme. Ideja për këtë mision, sipas tij, ishte hedhur nga “Fronti i Rezistencës” në Amerikë. Në vigjilje të festës së Çlirimit, 29 nëntorit 1974, ishte menduar një goditje e fuqishme për të tronditur regjimin.
Një grup i stërvitur, i kryesuar nga Avduli, mori përsipër të futej në Shqipëri për të hedhur në erë tribunën e paradës, organizuar me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit, ku qëndronte udhëheqja komuniste. Në varësi të rrethanave, synohej sulmi i drejtpërdrejtë me armë zjarri i Enver Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë…
Si e kujtonte Avduli këtë aksion që mbeti në tentativë?
Në zbatim të detyrës, grupi i drejtuar prej tij, në 22 nëntor ‘74 mbërriti në Greqi. Të nesërmen kaluan ilegalisht kufirin në zonën e Sarandës. Pas dy ditësh u vendosën në Tiranë, në bazën te Shallvaret. Prej aty nisën të studiojnë vendin para hotel “Dajtit”, ku do vendosej tribuna.
Ditën e festës, çuditërisht autoritetet kishin zhvendosur pozicionin e saj duke e montuar para Kryeministrisë. Avduli më tregonte se gjatë kohës që zhvillohej parakalimi, mundohej të afrohej aty duke ecur përgjatë Lanës dhe parkut “Rinia” për të qëlluar mbi udhëheqjen, por e kishte të pamundur, pasi në çdo pëllëmbë përgjonin njerëzit e Sigurimit.
Tentativat për më tej paraqisnin rrezik të madh. Në këto kushte, u detyrua të kthehet në shtëpinë e Binerëve. Aty mësoi se Sigurimi kishte rënë në gjurmët e tyre dhe u largua drejt një baze tjetër në zonën e Yzberishtit… Me dështimin e këtij misioni, nuk u kthye më në Shqipëri…
Në periudhën ‘74-’75, Avduli është futur disa herë ilegalisht në Shqipëri me misione të ndryshme. Për herë të fundit, ka qenë në prill të vitit ‘75, kur ra në grackën e Sigurimit të Shtetit në zonën e Hanit të Hotit. Prej këtej pastaj do t’i nënshtrohej kalvarit të tmerrshëm të vuajtjeve dhe persekutimit si një nga krerët e reaksionit për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri…
Kur doli nga burgu Avduli?
Ai u lirua në vitin 1991, duke qenë ndër të fundit nga radhët e të dënuarve politikë që la ferrin e Burrelit. Pas 31 vitesh, u kthye në shtëpi dhe filloi jetën nga e para, plot optimizëm dhe energji. Krijoi familje e u bë edhe baba. Në fillim bashkëvuajtësit iu lutën të sistemohej në Tiranë, por nuk pranoi, duke preferuar vendlindjen për të qenë afër njerëzve të dashur.
Avduli mbahet mënd nga të gjithë si njeriu që shpërfilli hakmarrjen, dasitë, mërinë dhe ofroi për gjithkënd mirësi dhe solidaritet. Me sa duket, vetë jeta, sakrificat, privacionet e vuajtjet e përjetuara, e kishin bërë të tillë. Vdiq në vitin 2007…/ Panorama.al