Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka komentuar publikimin e një regjistrimi ku opozita pretendon se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj është i lidhur me trafikantët e drogës.
I ftuar në Report TV, Braçe shprehet se Xhafaj u sulmua nga mafia dhe një grup politikanësh dhe prokurorësh të korruptuar për ta penguar në punën e tij.
Lidhur me këtë sulm, ai thotë se është orkestruar nga ish-kryministri Sali Berisha.
“Nëse nga opozita ka një akuzë të drejtpërdrejtë të faktuar për ministrin Xhafaj të provohet në gjykatë dhe ai mos të rrijë në detyrë.
Nëse dikush nga këta të tjerët nuk ka akuzë konkrete për punën dhe ushtrimin e detyrës së Xhafajt, atëherë të gjithë bashkë kanë ndaluar orën në vitin ’90.
Kjo historia kur ti e respekton ligjin por janë ca në fisin tënd që nuk e respektojnë, këto janë banale. Edhe në kohën e Hoxhës, sajoheshin prova.
Unë nuk flas dot as me sikur, as me duket. Në të tilla raste flitet me prova.
E para, Fatmir Xhafaj duke qenë njeri i ligjit, po sulmohet drejtpërdrejtë nga mafia.
Mafia në këtë rast është një amalgamë shumë e qartë, është grusht politikanësh të korruptuar, në bashkëpunim me gjykatës dhe prokurorë të korruptuar që janë nën rrezikun e vettingut dhe kriminelë ordinerë.
Këta tre element po bashkëpunojnë për të sulmuar legjitimitetin e reformës në drejtësi. Po rrëzohet për herë të parë pushteti real i mafias.
Kjo mafie ka ngjyrë dhe ka dhe emra. Në krye të kësaj mafie është Sali Berisha dhe me gjithë enturazhin e tij.” shton Braçe teksa shprehet se këtë gjë mund ta faktojë dhe me fakte reale nëse do të ketë përballë ish-kryeministrin.