Pas futjes në qeli të ish-ministrit Saimir Tahiri, pritet ekstradimi i Adriatik Llallës.
Në fillim të dhjetorit ai u arrestua nga autoritetet italiane dhe po mbahet i izoluar në pritje të procedurave.
Ministria e Drejtësisë dhe SPAK kanë kërkuar ekstradimin e tij pasi është dënuar me dy vite burg në vendin tonë për fshehje pasurie.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe gazeta u interesua pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe SPAK për të mësuar se çfarë po ndodh me Llallën.
Burime jo zyrtare i thanë gazetës se ditët e fundit ka pasur të tjera korrespodenca mes Ministrisë së Drejtësisë dhe SPAK me autoritet italiane. Sipas po të njëjtit burim, autoritetet e të dyja vendeve kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm këto ditë për procedurat e ekstradimit.
Mësohet se ngërçi qëndron te afatet, pasi Llalla ka aplikuar për azil dhe mësohet se po pritet skadimi i afateve që të mundësojnë ekstradimin. Një zyrtar i tha gazetës se fillimisht pritet që gjykata italiane të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin tij, ndëkrohë që dosja e ekstradimit është bërë gati.
Mësohet se ky proces nuk do të jetë shumë i gjatë, pasi Ministria e Drejtësisë dhe SPAK këmbëngulin te ekstradimi i tij. Ka pasur disa letërkëmbime mes palëve, pasi dhe Italia ka kërkuar informacione shtesë dhe gjithë dokumentacioni është gati.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur përfundoi në qeli Saimir Tahiri dhe një ekstradim i Llallës do të ishte një dëshmi e fortë në luftën kundër korrupsionit.
Arrestimi
Llalla u arrestuar në ambientet e një hoteli në Itali nga karabinierët, pas informacioneve të marra se kishte disa javë që qëndronte aty. Por pas verifikimeve, ai nuk është futur në qeli, por po mbahet në ruajtje në një ambient të veçantë që monitorohet nga autoritetet italiane.
Gazeta pak javë më parë ngriti pikëpyetje nëse Llalla do kthehet në të penduarin e drejtësisë dhe të zbulojë gjithë pushtetarët e korruptuar. Fakti që ai nuk po mbahet në qeli, por po mbahet në ambiente të posaçme, ndoshta hotel apo vende të tjera, si dhe mediat italiane flasin për çështje sekrete në mes, dyshimet janë se ai ndoshta mund të kthehet në një “pendito”.
Dënimi
Pas shumë seancash gjyqësore, zvarritjesh dhe debatesh, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla u dënua me burg në shtator. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.