“Der Spiegel”
Rojeve kufitare iu deshën më pak se dy orë që t’i gjenin. Mbrëmjen e 18 shkurtit të vitit 2020, Parvin A., një grua e re nga Irani, ishte fshehur në një pyll pranë kufirit greko-turk. Bashkë me të po udhëtonin 13 refugjatë, shumica nga Irani dhe Afganistani.
Ata kaluan lumin kufitar, Evros, pranë Edirnesë, nga Turqia në Greqi, ku donin të aplikonin për azil në Bashkimin Evropian. Parvin kujton se si ecnin duke u fshehur pas pemëve. Por rojet ia behën shpejt në pyll. Parvin ende e kujton momenti kur projektorët ranë papritur mbi ta.
Teksa u shtri përtokë sipas urdhrit që dëgjoi, ajo mundi të shihte çizmet e rojeve kufitare, dhe të dëgjonte të lehurat e forta të qenve. Rojet i konfiskuan çantën e shpinës, dhe bashkë me të edhe të gjitha kursimet e saj, 1000 euro, të cilat ajo i kishte vendosur në një çantë të vogël.
Parvin thotë se u detyrua t’u dorëzonte edhe pallton e saj dimërore dhe karikuesin e telefonit. Ndërsa të vetmen gjë që nuk ia morën ishte celulari i saj, të cilin e kishte fshehur në sytjena dhe më pas në këpucë. Ishte pikërisht celulari i saj ai që tani mund të faktojë atë çka asaj i ndodhi më vonë.
Greqia ka një kufi prej 212 kilometrash me Turqinë në Evropën Juglindore. Kufiri i jashtëm i BE-së është një zonë ushtarake e kufizuar, dhe gazetarët mund të hyjnë në zonë vetëm me leje të posaçme. Dhjetëra refugjatë vdesin çdo vit në përpjekje për të kaluar lumin Evros.
Gjithsesi, kufiri nuk është fare i papërshkueshëm. Gjatë muajve të thatë, niveli i ujit arrin deri me mesin e trupit të njeriut. Rojet kufitare greke e monitorojnë zonën me kamera termike. Shpeshherë ata nuk arrijnë të kapin shumicën e refugjatëve deri disa orë ose ditë pasi ata kanë kapërcyer kufirin.
BE dhe shtetet e saj anëtare kanë vendosur rregulla të sakta në lidhje me raste të tilla. Edhe pas një kalimi të parregullt të kufirit, refugjatët si Parvin kanë ende të drejtën për një proces të drejtë të procedurave të kërkimit të azilit.
Rojet kufitare nuk lejohen që t’i dëbojnë ata, pa shqyrtuar më parë nëse jeta e tyre është e rrezikuar në vendin ku do të dërgohen. Kjo diktohet nga ligjet greke, evropiane dhe ato ndërkombëtare. Gjatë një investigimi në thelluar “DER SPIEGEL” ka zbuluar se rojet kufitare greke po i shkelin sistematikisht këto ligje në mënyrë që t’i mbajnë emigrantët jashtë Greqisë.
Në lumin Evros, ata i hipin azilkërkuesit në gomone të vogla prej gome, dhe i transportojnë sërish në anën turke të lumit. Ndërkohë edhe në detin Egje, ata i hipin sërish në gomone, i dërgojnë deri në ujërat turke dhe më pas i lënë aty.
Aktivistët dhe avokatët e të drejtave të njeriut i quajnë skandaloze veprimet e rojeve kufitare, ndërsa qeveria greke e mohon ekzistencën e tyre. Për këtë arsye, abuzimet kryhen në mënyrë të fshehtë, dhe duket se po bëhen shumë më brutale.
Parvin foli për historinë e saj nga një qendër komunitare në lagjen Kreuzberg të Berlinit. Ajo është një grua e imët, 30 vjeç, edhe pse nga pamja e jashtme duket shumë më e re. Parvin tentoi plot 6 herë të hynte në Evropë në pranverën e vitit 2020, dhe në të gjitha rastet u kap nga rojet kufitare greke dhe u kthye mbrapsht në Turqi, një herë nëpërmjet detit Egje.
Vetëm gjatë përpjekjes së shtatë ajo ia doli të mbërrinte në Gjermani pa u kapur. Parvin jeton tani në qytetin lindor të Dresdenit në një apartament që e ndan me disa emigrantë të tjerë. Që nga ajo kohë, Parvin ka paraqitur një kërkesë për azil. Dhe tani ajo po synon të kërkojë llogari nga qeveria greke për dhunën që ka përjetuar.
Avokatët e Qendrës Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut (ECCHR), një ojq me qendër në Berlin, kanë marrë përsipër çështjen e saj, dhe po e ndihmojnë Parvinin në sfidën e saj kundër autoriteteve greke. Parvin e mban mend shumë mirë qelinë ku e mbyllën rojet kufitare greke.
Në dysheme ndodhej një dyshek i lagur me urinë. Ajo dhe refugjatët e tjerë e patën shumë të vështirë t’i shpëtonin papastërtisë. Ujërat e zeza kishin depërtuar në qeli nga një tualet që ndodhej aty pranë. “Gjithçka ishte shumë e pisët, e neveritshme”-thotë Parvin.
Ajo xhiroi me celularin e saj 2 video mbi kushtet e tmerrshme në qeli, dhe ishte e vetmja refugjate që kishte arritur të fuste një telefon celular në komisariat. Në orën 2:27 të mëngjesit me orën turke, ajo ua dërgoi videot të njohurve të saj duke ndarë edhe vendndodhjen e saj. Karta e saj turke SIM, ishte ende e përdorshme edhe në anën greke.
Të dhënat e gjeolokacionit të Parvin, tregojnë se rojet kufitare e kishin çuar grupin në një stacion policie në fshatin grek Neo Chimonio. Ai ndodhet vetëm disa kilometra përtej kufirit, dhe duket të jetë një nga vendndodhjet kryesore në sistemin grek të dëbimit të refugjatëve pranë lumit Evros.
Parvin thotë se asaj nuk iu dha mundësia për të aplikuar për azil në Greqi. Ajo pretendon se oficerët e policisë e pyetën se nga ishte, por as që u munduan të mbanin shënime. Ajo thotë se askush nuk donte t’ia dinte që ajo nuk ndihej e sigurt për jetën në Iran, dhe as që autoritetet turke nuk i kishin dhënë statusin e refugjatit, pavarësisht se Agjencia e OKB-së për Refugjatët, e kishte konsideruar atë si një rast që kishte nevojë për mbrojtje.
Gruaja iraniane pretendon se është trajtuar në mënyrë çnjerëzore në të6 herët që është ndaluar nga rojet kufitare. Ajo flet për mbylljen brenda kontejnerëve të pistë, në të cilët mezi kishte ajër të mjaftueshëm për të marrë frymë. Dhe zyrtarët grekë që i trajtonin refugjatët si kafshë.
Por asgjë nuk mund të krahasohej me atë që përjetoi brenda komisariatit të policisë në Neo Chimonio. Abuzimet nisë që në mëngjesin e 19 shkurtit 2020, kur ajo u transportua sërish në lumin Evros përmes një kamioni ku ndodheshin edhe refugjatë të tjerë.
Rojet në kamion, rrëfen ajo, mbanin veshje ushtarake dhe kapuçë në kokë. Ajo thotë se njëri prej tyre e kapi me forcë për gryke dhe e kërcënoi se do ta vriste nëse do të guxonte të rikthehej. Më pas, ata e kthyen atë në anën turke të lumit me një gomone të vogël.
Pretendimet e Parvin mbi sjelljen skandaloze të rojeve kufitare greke, përputhen me videot e xhiruara në zonës e lumit Evros, të cilat“DER SPIEGEL” i analizoi së bashku me “Forensic Architecture” në vitin 2019. Imazhet tregonin burra me kapuçë të zinj në kokë, që lëvizin nga ana greke e Evros në anën turke të lumit. Burrat përdornin gomone me motorë, teksa njëri fliste anglisht por me një theks të dukshëm të greqishtes.
As qeveria dhe as policia greke, nuk iu përgjigjën kërkesës tonë për të reaguar mbi këtë rast. Ndërkohë në një deklaratë, Roja Bregdetare Greke, e cila është përgjegjëse vetëm për Detin Egje, u shpreh se “sipas të dhënave të regjistruara nga ne, nuk ka ndodhur asnjë incident i tillë siç përshkruhet në kërkesën e gazetarit”.
Nuk ka asnjë provë përfundimtare të pretendimit të Parvinit se ajo është keqtrajtuar në stacionin e policisë, edhe pse ka shumë prova se ajo po thotë të vërtetën. Parvin mund të provojë ndalimin e saj në komisariat përmes videove dhe të dhënave të vendndodhjes.
Pas dëbimit të parë ajo ka fotografuar edhe trupin e saj. Në këmbët dhe fytyrën e saj vërehen mavijosje. Dëshmitë e saj përputhen edhe me ato të organizatave humanitare.
Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare ka dokumentuar për vite me radhë zmbrapsjet përgjatë lumit Evros dhe ka marrë në pyetje viktimat.
Vitin e kaluar, sipas statistikave të brendshme, çdo i intervistuar ka përshkruar sjellje të dhunshme nga rojet kufitare greke. Ata që janë kapur e dinë se çfarë i pret. Midis refugjatëve ka qarkulluar prej kohësh këshilla për të mos i parë rojet në sy, për të shmangur provokimet e tyre.
Deri më tani, qeveria greke i ka injorua këto fakte. Komisioni Evropian dhe vendet e tjera evropiane, rrallëherë bëjnë deklarata kritike. Ndërkohë BE nuk ka e ka ndalur ndihmën e saj financiare ndaj Greqisë për menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Gjithsesi Parvin është e gatshëm t`i shkojë deri në fund kësaj çështje. “Unë jam ende gjallë, dhe dua që të dëgjohet zëri im. Dhe do të bëj gjithçka që qendra si Neo Chimonio të mbyllen përgjithmonë”- thotë ajo./abcnews.al