Treshja që u gozhdua pas Tahirit
Prokurori Vladimir Mara pavarësisht skandaleve që rëndojnë mbi të ai arriti të kalonte Vettingun dhe të mos ankimohej nga Komisioneri Publik, për shkak se dyshohet se të ketë lidhje me Qeverinë.
“Ka arritur një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale, sipas parashikimit të germës “c”, të pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të firmosur nga trupa e gjyqtarëve Pamela Qirko, Alma Faskaj dhe Firdes Shuli.
Pas këtij konstatimi KPK ka dërguar për vlerësimin etik dhe profesional pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy çështje për inspektim dhe konstatim të shkeljeve të mundshme disiplinore për prokurorin Mara.
Bëhet fjalë për mosveprim në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për shtetasin Nazer Seitaj i njohur ndryshe si financieri i Habilajve, si dhe faktin e përdorimit të një makine, e cila nuk ka qenë regjistruar sipas legjislacionit në fuqi.
Kujtojmë se emri i Marës është lakuar më herët për dekonspirim operacioni.
Në aksionin e tetorit 2017, pas zbulimit të një sasie lënde narkotike, në media u lakua se prokurori Vladimir Mara, i ndodhur në vendngjarje bashkë me Policinë e Shtetit, ka dekonspiruar aksionin.
Ai e ka mohuar një të tillë, duke mohuar se ka qenë në vendgjarje, pasi ka pasur fëmijën sëmurë.
Pak kohë më parë gazeta Bild, publikoi 16 përgjime, ku objekt ishin kryeministri Edi Rama, drejtorë, ish ministra dhe zyrtarë të lartë socialistë.
Dhe sërish në skenë doli emri i Prokurorit Vladimir Mara.
Pasi në njërin nga 16 përgjimet, dëgjohet edhe shefi i komisariatit numër 5 të Kamzës, Sali Skura. Ky i fundit rezulton kunati i prokurorit Vladimir Mara, i cili ka në duar dosjet hetimore 339 dhe 184.
Nga përgjimet e publikuara të gazetës gjermane “Bild”, Sali Skura doli duke i raportuar një zyrtari të lartë të Ministrisë së Brendshme, Arben Keshi, i cili ishte koordinator i Partisë Socialiste në Dibër.
Dyshimet janë se duke zvarritur hetimet dhe duke mbrojtuar socialistët dhe kunatin e dalë në përgjime, Vladimir Mara kaloi Vettingun.
Sa i përket pasurisë, prokurori Mara rezulton se të ardhurat i ka nga paga e tij dhe e bashkëshortes.
Me hetimet e dosjeve 339 dhe 184 është marrë edhe prokurori Dritan Prençi. Edhe ky i fundit arriti të përzgjidhje për në SPAK.
Në linjën e skandaleve të Marës ka ecur edhe Prençi. Dyshja në fjalë e thelluan skandalin e zvarritjes së hetimeve të dosjeve 339 dhe 184, duke urdhëruar mediat që mos të publikonin përgjimet. Krahasuar me kolegët, tek prokurorët e varfër radhitet dhe prokurori i Krimeve të Rënda Dritan Prençi.
Prokurori Arenc Çela ende nuk ka kaluar në Vetting. Edhe Çela rezulton të ketë një pasuri modeste.
Por, emri i Çelës është lakuar më herët në lidhje me të afërmit e tij dhe në fakt shpesh është shenjëstruar për këtë gjë.
Maksim Çela, xhaxhai i prokurorit, është akuzuar më herët, për vrasjen e efektivit të policisë Kledi Bano në Lushnjë dhe vendosjen e një sasie tritoli në shkallët e stadiumit “Roza Haxhiu”.
Për dënimin e Maksim Çelës, Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë përdorur dëshminë e të penduarit Petrit Liçi, i cili ka përfituar në atë kohë nga kjo prokurori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke u mbajtur në ruajtje.
Gjithashtu prokurori Çela është shenjëstruar edhe për shkak të kunatit të tij.
Çela është dhe kunati i shtetasit Dardan Ahmeti, shtetas ky që në muajin maj të 2014 ka shkuar me automjetin e tij, në Rinas ku së bashku me Sajmir Bajramin kanë pritur pilotin italian Giorgio Riformato.
Ahmeti fillimisht është dyshuar nga prokuroria si pjesëmarrës në trafikun e drogës me avion nga plazhi i Divjakës në drejtim të Italisë.
Por pas verifikimeve të kryera, prokuroria e ka përjashtuar atë nga dyshimet si i implikuar në këtë çështje, duke e përdorur kunatin e prokurorit Çela si dëshmitar në sallën e gjyqit, ku po gjykoheshin të pandehurit e tjerë të dosjes “Divjaka”.
Tashmë pritet që të shihet se si do t’i konsiderojë Vettingu këto lidhje.
Nëse kemi parasysh disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vettingu për lidhje me të inkriminuar atëherë edhe Çela rrezikon shkarkimin, edhe pse nuk ka përgjegjësi se çfarë bëjnë të afërmit e tij.