Palestinezët nuk mund të mbështeten tek askush. Ndarjet e tyre të brendshme janë kaq të thella dhe pafuqia e tyre është aq e dukshme, sa që e djathta e Izraelit nuk e vret mendjen, për të kërkuar një marrëveshje paqeje.
Shkruan Bernard Guetta
Për palestinezët është përvjetori i shtatëdhjetë i nakbës, katastrofa që ka shkaktuar aq shumë humbje. Megjithatë, për izraelitët është përvjetori i lindjes së një shteti, pas shekujve të persekutimit dhe vdekjes së gjashtë milionë njerëzve.
15 maji kurrë nuk ka patur një domethënie unike për izraelitët dhe palestinezët, por kurrë më parë fati i dy popujve nuk është shfaqur, kaq i ndryshëm.
Në pak orë Shtetet e Bashkuara do të inaugurojnë me madhështi të madhe ambasadën e re, të transferuar nga Tel Avivi në Jeruzalem, me vendimin e Donald Trump. Duke rënë në një mendje me gjithë izraelitët, që e konsiderojnë Jeruzalemin si kryeqytetin e tyre të vetëm dhe të pandashëm, që kur pushtuan pjesën lindore në vitin 1967, Shtetet e Bashkuara prishën konsensusin ndërkombëtar, sipas të cilit ambasadat e huaja janë të vendosura të gjitha në Tel Aviv, për shkak se, nga pikëpamja juridike, aneksimi i Jeruzalemit është vetëm një e dhënë faktike.
Në këtë mënyrë, Izraeli shënon një pikë të rëndësishme, duke kurorëzuar një javë shumë pozitive. Më 8 maj, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kompromisi bërthamor i firmosur nga fuqitë e mëdha dhe Irani në vitin 2015. Askush nuk e di se cilat do të jenë pasojat e këtij vendimi.
Shumë izraelitë, me të drejtë, janë të shqetësuar, por lajmi sërish demonstron një triumf personal për kryeministrin Benjamin Netanyahu, i bindur se marrëveshja i jepte Teheranit mjetet financiare për të nxitur projeksionin iranian, në të gjithë Lindjen e Mesme, deri në kufi me Izraelin.
E vërteta është se garda revolucionare, ushtria e regjimit iranian,ka ndërtua baza në kufirin lindor të Izraelit, por kur në mes të javës, ushtria izraelite goditi objektet iraniane në Siri, Irani nuk reagoi, sepse vështirë se mund të përballonte luksin e hapjes së një fronti tjetër.
Pastaj ishte Eurovizioni, dhe në fund transferimi i ambasadës amerikane. Gjithçka duket se buzëqesh për Izraelin. Palestinezët, nga ana e tyre, janë përgatitur për demonstrimet e mëdha të 14 dhe 15 majit, të organizuara në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.
Prej shtatë muajsh, manifestime mbahen çdo fundjavë. Bilanci i përkohshëm është 54 të vdekur. Vetmia e palestinezëve nuk ka qenë asnjëherë kaq e plotë, për shkak se vendet sunitë, me Arabinë Saudite në krye, i janë afruar qartaz Izraelit, për të luftuar armikun e përbashkët iranian.
Palestinezët nuk mund të mbështeten tek askush. Ndarjet e tyre të brendshme janë kaq të thella dhe pafuqia e tyre është aq e dukshme, sa që e djathta e Izraelit nuk e vret mendjen, për të kërkuar një marrëveshje paqeje. / Bota.al