Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për shpërdorim detyre. Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshim, moszbatimin e shërbimit të provës.
Pas vendimit të GJKKO është firmosur dhe urdhri i arrestit nga prokurorët dhe ish-ministri, Saimir Tahiri ka dalë me pranga në duar nga gjykata dhe është dërguar në ambientet e paraburgimit të Burgut 313.
Pas dhënies së vendimit, ish-ministrit iu lejua telefoni vetëm për të kryer një telefonatë. Ai refuzoi të jepte një prononcim për media.
Vendimi
Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 04.02.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi për çështjen me nr. 47 regjistri themeltar, datë 24.11.2021 regjistrimi, në ngarkim të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaed Çela, ku kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi, lënien në fuqi të Vendimit nr. 60, datë 19.09.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me ndryshimin si më poshtë:
-Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin z. Saimir Tahiri.
-Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin z. Saimir Tahiri fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimit të Organizuar pasi dëgjoi relatimin, prokurorët, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre vendosi: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me ndryshimin si më poshtë:
Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin Saimir Tahiri. Vuajtja me burgim për të pandehurin fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryehut në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke nisur nga dita e nesërme”, tha gjykatësi.