Ashtu si këtë të martë, edhe dje Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim sa i takon çështjes “Meta”. Paraditen e djeshme në orën 10:00 Kushtetuesja u mblodh sërish në seancë për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Të pranishëm në seancë përveç trupës gjykuese, ishin përfaqësues nga media, Parlamenti dhe Presidenca. Kjo e fundit përfaqësohej nga drejtoresha Juridike, Katrin Treska dhe këshilltari ligjor i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, i cili u paraqit për mbrojtje me një dosje voluminoze prej 140 faqesh. Zoti Dervishaj u kujdes të nënvizonte se kreu i Shtetit në asnjë akt të vetëm nuk ka shkelur Kushtetutën, ndërsa e konsideroi procesin e shkarkimit të Metës nga Kuvendi si hakmarrje.
Madje këshilltari i presidentit theksoi se ngritja e Komisionit Hetimor nga Parlamenti në vitin 2019 konsiderohet shkelje pasi ka ushtruar aktivitetin në kohën e zgjedhjeve, ndërkohë që shtoi se procesi i shkarkimit të Metës është i paligjshëm. “Kjo mënyrë veprimi, pa objekt dhe lëndë, dhe pa arritur të identifikojë veprim apo akt të rëndë.
Kjo evidenton qartë se procesi është iniciuar politikisht, duke u hakmarrë ndaj presidentit, duke kufizuar rolin e tij dhe shmangur vëmendjen nga të gjitha problematikat. Nisma të tilla janë të papranueshme për shoqëritë demokratike. Konsiderohen kapje dhe puç institucional”, deklaroi Dervishaj.
Anëtarët e Kushtetueses gozhdojnë këshilltarin e Metës
Pas Dervishajt fjalën e morën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët i bënë mbi 70 pyetjet përfaqësuesit të Presidencës, duke e gozhduar. Kështu fillimisht ishte anëtarja e kësaj gjykate, Elsa Toska, e cila mes pyetjeve që i drejtoi zotit Bledar Dervishaj, i kërkoi këtij të fundit që të përgjigjej mbi një incident që ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 në zyrat e Frymës së Re Demokratike, ku presidenti Ilir Meta u përplas fizikisht me efektivët e Policisë Bashkiake.
“Pse zgjodhi Presidenti i Republikës të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?; Me çfarë lloj metodologjie mund të matet rritja apo ulja e autoritetit si përfaqësues i unitetit të popullit?; Cilat do të ishin ata parametra që mund të na bënin ne që përmes disa akteve apo qëndrimeve autoriteti i presidentit është rritur dhe nuk është ulur?”, deklaroi Toska.
Trupa e gjykatës i kujton Metës se mbështeti opozitën
Por nuk ndalet me kaq, pasi edhe anëtarja tjetër e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari i ka drejtuar disa pyetje përfaqësuesit ligjor të Metës, zotit Dervishaj. Mes të tjerash, zonja Xhaferllari kërkoi nga këshllitari i Presidencës të përgjigjej se përse zoti Meta në betejën me mazhorancën socialiste ka dalë në krah të opozitës, në një kohë që sipas saj, kreu i Shtetit qëndron mbi palët.
“Një procedurë për shkarkim e presidentit mund të bazohet tek shkelja e rëndë e kushtetutës apo edhe kryerjes së krimit të rëndë. Qëndrojnë veç e veç apo të dyja së bashku?; Një nga shkeljet është ajo e formulës së betimit. A keni koment për këtë?; Presidenti nuk mund të jetë anëtar partie. Cili është qëllimi sipas jush?; Do doja rëndësinë që ka legjitimiteti në këtë proces?”, deklaroi Xhaferllari.
Pyetje pati dhe për thirrjen e Metës për të mprehur sfurqet. “Shprehjet ‘ti mprehin sfurqet, kosoret, spoatat dhe ça kanë ata,…’; ‘Kush vjedh një votë ti pritet dora…’, çfarë qëllimi kanë pasur”, pyeti relatori Kalo dhe kërkoi mendimin e presidentit nëse duhej të konsiderohej vetëpërmbajtja.
Edhe anëtari Binaj pyeti se përse kishte qenë nevoja e ndëshkimeve të tilla, kur legjislacioni ka parashikuar dënime me burgim dhe gjobë për krimet zgjedhore. “Evokimi i ndëshkimeve të tilla, a shkojnë me detyrimin e shtetit shqiptar që ka nënshkruar ‘konventën kundër torturës…’, në cilësinë e vendit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?”, pyeti Binaj dhe kërkoi qartësim nëse presidenti kishte detyrimin që gjatë artikulimeve publike të jetë më i përmbajtur.
Në vijim Kalo u ndal edhe lidhur me deklaratat për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve dhe pyeti nëse ishte kryer ndonjë denoncim në organet përkatëse.
Pyetjet tronditin presidentin, shtyhet seanca
Më tej pyetje paraqiti edhe anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, e cila kërkoi nga këshilltari i Metës të përgjigjej sa i takon pretimit të kreut të Shtetit se nuk mund të ngrihet Komision Hetimor kur Parlamenti është drejt mbylljes së mandatit.
“4 muajt e fundit Kuvendi s’mund të ngrejë komisione hetimore. Nuk mendoni se duhet të përdoret ndonjë formulim tjetër në këtë pikë të nenit?; Ka ndonjë kufizim tjetër për Kuvendin, qoftë dhe në periudhën fundore të mandatit të tij?; 4 muajt e fundit Kuvendi s’mund të ngrejë komisione hetimore.
Nuk mendoni se duhet të përdoret ndonjë formulim tjetër në këtë pikë të nenit”, deklaroi Papajorgji. Por kjo breshëri pyetjesh nga ana e anëtarëve të Kushtetueses, duket se e gjeti këshilltarin e Metës, zotin Bledar Dervishaj, të papërgatitur, i cili kërkoi kohë, në mënyrë që t’iu përgjigjej.
Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata Kushtetuese, e cila i vendosi 48 orë kohë Presidencës për t’i përgjigjur 72 pyetjeve që i janë bërë nga anëtarët e Kushtetueses. Seanca e radhës pritet ditën e hënë, ora 10:00.
Paralajmërimi nga socialistët
Për seancën kanë reaguar dhe socialistët. Alket Hyseni ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të vulosë të hënën, ashtu siç paracaktoi, fatin e Presidentit Ilir Meta. “Mua më vjen vërtet keq që Presidenti i vendit tim të dalë e të gajaset edhe sikur në një intervistë televizive e të bëjë gaztorin.
Janë veprime procedurale, ju e dini këtë gjë. Madje ishte kërkesë e mbrojtjes sepse mazhoranca donte vetëm dy orë kohë për t’ju dhënë përgjigje pyetjeve të trupit gjykues. Të hënën jepet patjetër vendimi, nuk do të jetë i argumentuar, por vendimi i shkurtër”, tha ai.
Më tej Hyseni u shpreh se në rast shkarkimi, Meta duhet të largohet menjëherë nga zyra. Pra socilistë zynojnë ta nxjerrin Metën të hënë nga zyra. “Nëse jep vendimi duhet ta lirojë menjëherë zyrën. Nga ana procedurale duhet pritur vendimi i argumentuar, por në rastin konkret ka një parashikim që lirohet zyra menjëherë pas vendimit”, tha ai.