Gjykata Kushtetuese ka prishur planin e presidenti për të bllokuar seancën e tij të shkarkimit.
Dje në orën 10.00 Kushtetuesja u mblodh për vendimin e Kuvendit një vit më parë, i cili vendosi që Meta të shkarkohet nga detyra sepse shkeli paanësinë politike me zgjedhjet e 25 prillit duke u bërë palë me opozitën.
Nga ana e Presidencës u paraqitën si përfaqësues Bledar Dervishaj dhe Katrin Treskaj, ndërsa nga ana e Kuvendit ishin Klotilda Bushka dhe Taulant Balla. Gjysmë ore para seancës, përfaqësuesit e Presidencës kishin dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ku shpreheshin se disa anëtarë duhet të jepnin dorëheqjen sepse janë në konflikt interesi.
Në seancë zoti Dervishaj parashtroi kërkesën. Ai u bazua te ato që tha dhe një ditë më parë gazeta, duke treguar se plani ishte që të bllokohej vijimi i seancës. “Janë cenuar parimet e unitetit të popullit për shkak të rrethanave. Për shkak te shkaqeve vihet në dyshim paanshmëria e gjyqtarëve.
Secili prej gjyqtarëve të vlerësojë këto shkaqe lidhur me çështjen dhe me pas për t’u shprehur nëse secili është para rastit të heqë dorë. Ka gjyqtarë që vënë në dyshim paanshmërinë”, tha ai. Presidenca dha disa arsye sipas të cilat janë shkaqe që gjyqtarët të dorëhiqen.
Një ndër argument ishte padia ndaj Fiona Papajorgjit për zgjedhjet e 30 qershorit. Një tjetër argument sipas Dervishit është konflikti që pati mes Kuvendit dhe tij për emërimet në Kushtetuese duke dhënë sinjale se Marsida Xhaferllari ishte në konflikt interesi.
Po ashtu kërkoi që të largohej dhe Vitore Tusha me argumentin se ajo është propozuar nga presidenti për kryetare të KLSH. Po ashtu, qëndrimi i Tushës përtej mandatit u pa si konflikt interes nga përfaqësuesi i Presidentit. “Qëndrimi në detyrë përtej mandatit me një kohëzgjatje 5-vjeçare që është përtej çdo arsyetimi logjik, krijohet një situatë që dukshëm vendos në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që një shkak tjetër është fakti që presidenti Meta, pasi kryetarja ka shprehur interesin e saj për të kandiduar për kryetare të KLSH, më 5 nëntor e ka propozuar si kandidaturën më të mirë në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nuk e ka pranuar propozimin dhe e ka refuzuar, duke anatemuar veprimtarinë e presidentit se po tentonte të bllokonte veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Debatet në seancë
Përfaqësuesi i Presidencës ishte i ashpër përballë gjyqtarëve dhe kjo soli debate e diskutime. Dy emrat që deri pak kohë më parë cilësoheshin si më pranë Metës, Vitore Tusha dhe Marsida Xhaferllari nuk ishin aspak dakord me Dervishin. Zonja Xhaferllari ja rrëzoi argumentet këtij të fundit.
“Në faqen 8 paragrafi i parafundit thotë zgjedhja e 3 anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Ky paragraf ka një fakt ku thuhet se zgjedhja e gjyqtarëve përbën fakt për përjashtimin e kësaj gjykate. Ju keni një grup me fakte? Ku i lidh faktet? Se nëse vlerësoni ju me hipoteza ne e vlerësojmë hipotezën dhe mori 10.
Por nëse supozojmë se nuk u vlerësua. Këtë fakt e keni si shkak?”, tha ajo duke ju referuar faktit se Presidenca pretendon se duke qenë se 3 anëtarë janë zgjedhur prej tij janë në konflikt interesi. Mes tyre është dhe zonja Xhaferllari. Zoti Dervishi tha se këtë duhet ta vlerësoj gjykata. Më tej Xhaferllari këmbënguli dhe kërkoi prej tij të thotë emrat e 3 gjyqtarëve që janë emëruar nga presidenti.
Më pas ajo vijoi: “Në çdo kërkesë ju duhet ta bëni konkrete dhe të paraqisni bazën ligjore ku mbështetni dhe shkakun ligjor. Kalojmë te faqe 10. Thuhet se procedimi i kërkuar nga presidenti mund të përfshijë dhe gjyqtarë të tjerë. Nëse arrihet në përfundimin se s’ka kërkesë për dorëheqje, na saktësoni për cilët gjyqtarë bëhet fjalë?”, tha ajo. Dervishi tha se duhet ta gjykojnë vetë anëtarët. Debate pati dhe me Përparim Kalon.
Presidenca në argumente e saj tha se gjyqi tejkaloi afatin 3 mujor sepse muaji gusht është përdorur për pushime nga gjyqtarët, ndërkohë që sipas tij duhej të vijohej me shqyrtimin dosjes. Kritike ishte dhe kryetarja Vitore Tusha. “Të jemi më proceduralë. Faktet janë të thëna dhe më parë përveç komentit që bëni mbi procesverbalin. Ne në përputhje me afatet ju është dhënë mundësia ti shihni të gjitha dokumentet dhe të merrni ato që duhet.
Ju të definoni para se trupi të tërhiqet për vendim që e përcaktoni si kërkesë që nëse ne nuk e pranoni kërkesën ta shihni për përjashtim të trupës. Këto shkaqe nuk janë sjellë në seanca më parë kur ku keni qenë subjekt. Ju keni detyrimin t’i thoni gjykatës nëse e keni si kërkesë për përjashtim të të gjithë trupës sepse nuk kam asnjë kërkesë nga asnjë gjyqtar që të heqë dorë”, tha Tusha.
Bie kërkesa
Pas parashtrimeve, përfaqësuesi i presidentit në bazë të nenit 36 të ligjit kërkoi që gjyqtarët të vendosin vetë nëse janë në konflikt interesi dhe më pas të heqin dorë. Nga ana tjetër ai u shpreh se nëse askush nuk heq dorë atëherë Presidenca në bazë të nenit 37 kërkon që të largohet e gjithë trupa gjykuese. Rreth orës 11.15 gjykata u mblodh për vendim dhe më pas vendosi të rrëzojë kërkesën e përfaqësuesve të presidentit.
“Lidhur me pretendimin për qëndrimin tej afatit 9-vjeçar dhe për propozimin e emërimit në një detyrë tjetër, shkaqet janë të pabazuara në Kushtetutë. Lidhur me pretendimet për shortin, afatin dhe pezullimin e tij, u vendos të vlerësohet se janë të pabazuara pasi janë çështje të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese”, tha Vitore Tusha mbi argumentet kundër dorëheqjes së saj.
Njëjta gjë u tha edhe për Fiona Pajorgjin dhe emrat e tjerë. “Po ashtu pretendimi për paraqitjen e një ankese për procedim disiplinor nuk përbën shkak për përjashtimin nga gjykimi të gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa lidhur me gjyqtaren Marsida Xhaferllari rrëzohet, pretendimi mbi mënyrën e emërimit është haptazi e pabazuar, po ashtu pretendimi për organizimin e shortit, pezullimin dhe afatin janë të pabazuara. Për gjyqtaren Fiona Papajorgji kërkesa rrëzohet.
Pretendimi mbi mënyrën e emërimit është haptazi e pabazuar. Pretendimi mbi organizimin e shortit, afatin dhe pezullimin janë të pabazuara sepse janë çështje të pavarësisë organizative të Gjykatës Kushtetuese. Paraqitja e një ankese për procedim disiplinor nuk përbën shkak për përjashtim. Kërkesa për gjyqtaren Elsa Toska rrëzohet.
Pretendimi për emërimin është haptazi i pabazuar. Pretendimi për organizimin e shortit, afatit dhe pezullimit janë të pabazuara…”, deklaroi Tusha. Më tej ajo tha se kërkesa për gjyqtaren Sonila Bejtja dhe Altin Binaj rrëzohet. Sipas saj, pretendimi mbi mënyrën e emërimit është haptazi e pabazuar./ Kliti Topalli