Aksidenti tragjik me 3 viktima në Librazhd, festa që u kthye në tragjedi për familjen nga Kukësi! Ishin nisur drejt Korçës për një ditëlindje.
Ishin nisur nga Kukësi për të shkuar në Korçë për të festuar një ditëlindje, por momentet e gëzimit për familjen nga Kukësi nuk zgjatën shumë. Elmi Keqa, Elona Keqa, Elis Sulmataj, Elisiado Keqa dhe Ambra Halili zgjodhën qytetin e Korçës për të festuar ditëlindjen e njërit prej tyre, udhëtim që do të kthehej në tragjedi.
Ngjarja e rëndë u regjistrua paraditen e sotme në aksin Elbasan-Librazhd, ku automjeti me të cilin ata udhëtonin u përplas me një tjetër makinë tip “Ford” dhe për pasojë drejtuesi humbi kontrollin duke përfunduar në lumin Shkumbin.
Përplasjes mundën t’i shpëtonin Elisiado Keqa 10 vjeç dhe Ambra Halili 20 vjeçe, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë ku ndodhen në gjendje të rëndë.
Aksidenti rezultoi fatal për Elmi Keqën 53 vjeç, Elona Keqë, 35 vjeç dhe Elis Sulmataj 18 vjeç, trupat e të cilëve u nxorën nga automjeti pas disa orë kërkimesh nga polumbarët e RENEA-s.