Fakte, prova, dëshmi dhe mohim akuzash! Kjo ka qenë gjithçka është thënë ditën e djeshme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar teksa shqyrtohej seanca për pretencën e dhënë ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës.
Tahiri ka kundërshtuar akuzat në lidhje me shpërdorimin e detyrës duke vënë theksin se ai në fakt e ka kryer detyrën e tij.
Ai i tha Gjykatës se “Kam bërë 5 shkresa për radarët të cilat, i kam nisur në drejtim të institucioneve përkatëse, konkretisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit. Unë nuk kam komunikuar asnjëherë me “Habilajt” dhe edhe në dëshmitë që keni marrë për këtë proces ju e dini shumë mirë se dëshmitarë ka folur për një Saimir që është në grup dhe ky Saimiri nuk dihet se çfarë pune bënte!”
Gjithashtu, Tahiri i ka thënë Gjykatës se “Procedimi penal ndaj Haxhirajt dhe ‘Habilajve’ ka nisur nga të bashkëpandehurit e mi. Procedimet janë lidhur në mënyrë mekanike, vetëm për të mbajtur në këmbë akuzën ndaj meje, ndonëse Prokuroria ka dështuar të provojë veprimet e mia dhe rolin tim.
Ju e dini shumë mirë se unë kam zero telefonata me ‘Habilajt’, zero kontakte, zero takime e zero përfitime. Përgjimet të cilat keni përdorur kundër meje mbajnë erë. Keni një fakt interesant që Prokuroria thotë që babai im dhe gruaja nuk janë shënuar në sistemin TIMS, por nga ana tjetër, po Prokuroria pranon se atyre u janë vulosur pasaportat”.
Jaeld Çela: Për ‘Fatimen’ shteti s’dinte asgjë
Ish-kreu i Policisë së Vlorës ka qenë në të njëjtën bankë të akuzuarish ditën e djeshme bashkë me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Edhe ai si ish-eprori i tij ka kundërshtuar në disa pika përfaqësuesit e akuzës e konkretisht duke hedhur dritë edhe mbi një fakt për të cilin duket se nuk i ka bërë mirë llogaritë.
Ai i ka thënë Gjykatës se në rastin e peshkarexhës “Fatima” që u kap në Itali pala shqiptare nuk kishte asnjë informacion, ndonëse mjeti i ngarkuar u nis nga Vlora.
“Në të gjithë dosjen janë katër episode. Unë në detyrë kam ardhur më 5 shtator 2014 dhe jam larguar më 28 prill 2017. Nga të gjitha këto episode akuzohem për dy raste, për Treblovën që ndoqa operacionin vetë.
Nuk e kuptoj ku e kam shpërdoruar unë detyrën. Gjykata thotë se gjatë kohës që isha drejtor i policisë së Vlorës, kultivimi ndodhi në masë dhe më bën përgjegjës, por gjatë asaj kohe s’ka asnjë rast trafikimi.
Më akuzojnë edhe për peshkarexhën ‘Fatima’ që hetimi u krye në Itali. Shteti shqiptar kishte zero dijeni për këtë fakt, pra kishte zero informacion nga pala shqiptare”, i tha ai Gjykatës!