Sali Berisha ka konfirmuar se ka diskutuar me presidentin Ilir Meta, për koalicionin me LSI-në. Meta ka shkelur hapur Kushtetutën, e cila ia ndalon rreptësisht angazhimin me një parti politike.
Nga ana tjetër, Berisha ka deklaruar se betejën për të marrë selinë e PD-së do e bëjë pas zgjedhjeve të 6 marsit.
Me një fjali, Sali Berisha i ka rrëzuar poshtë 2 gënjeshta të mëdha që Ilir Meta i ka thënë me zë dhe me figurë. Ai sot ka deklaruar se ka negociuar me Metën për koalicionin që ka bërë me LSI-së në zgjedhjet e 6 marsit.
Kjo deklaratë është shumë e fortë, kjo pasi në një kohë kur Meta flet si president mbi palët, nga ana tjetër, në fshehtësi bën marrëveshje si kryetar partisë që ka themeluar vetë, LSI-në, e është në një moment kritik, me vetëm 4 deputet në Kuvend, të fituara në 25 prill.
Nga ana tjetër, Meta është pyetur se kur e ka takuar për herë të fundit Berishën dhe është përgjigjur se kjo ka ndodhur para 17 muajsh, madje fliste se ndjente mall për doktorin për të cilin ka shprehur haptazi simpati për të, por sot u kuptua që ai ka gënjyer. Jo vetëm që e ka takuar, por madje edhe ka bërë marrëveshje.
“Vetëm për këto zgjedhje do jemi me LSI. Kemi pasur bisedime në të gjitha nivelet. Kam pasur bisedime me zotin Meta. E kam takuar zotin Meta. Kam takuar të gjithë kryetarët e partive opozitare, përveç zotit Dule që ndodhet jashtë vendit. Por edhe me të kam kontaktuar,”-tha Berisha në fjalën e tij, në televizionin e familjes së tij.
Shpesh herë Meta e ka cilësuar vetën si “mbrojtësi i Kushtetutës”, por sot, ai më shumë se kurrë e ka shkelur ligjin kryesor për një kre shteti, i cili ka ndalon rreptësisht angazhimin në politikë. Neni 89 i saj e thotë shumë qartë.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, shkruhet e bardha mbi të zezë në Kushtetutë.
Monika Kryemadhi, kryetarja ‘de juro’ e LSI-së është anashkaluar nga roli i saj, duke i lënë vendin dyshes Meta dhe Berisha për një bashkëpunim, marrëveshje për të cilën ka folur edhe më herët Lulzim Basha, që i ka akuzuar se kanë qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.
6 marsi për Berishën, duket se po shërben si një matësh forcash, se ku do të qëndrojë ai përballë kundërshtarit të ij kryesor tashmë që është Basha. Pikërisht për këtë arsye, edhe betejën për selinë e PD-së, ka zgjedhur që t’i shtyjë pas zgjedhjeve të pjesshme vendore.
“Ne betejën dot a vazhdojmë, ju garantoj, revolucioni nuk ndalet. Por këto 45 ditë revolucioni përqendrohet tërësisht te vota dhe ne po shkojmë drejt votës. Ne do t’i rikthehemi, selia është e jona, logoja është e jona”, u shpreh Berisha.
Qëndrimin e tij kundër SHBA-së e ka përforcuar me akuzat e forta në drejtim të ambasadores Yuri Kim.
“Zonja i ka lejuar vetes në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës së Shqipërisë, i ka përshtatur vetes për shkak të një kryeministri që mund t’i vendosësh çdo epitet, të sillet si një guvernatore dhe të futet në punët e brendshme të një partie. Unë e kam ndjekur këtë qëndrim, para çdo foltorje, para çdo akti ajo është përpjekur të dekurajojë demokratët.
Mendova njëherë t’i them ju lutem mos bëj deklarata se po më shtohen njerëzit dhe unë këtë ndihmë nuk e dua nga ju, por nuk e bëra. Le të marrë pjesë në fushatë sa të dojë, në shkelje flagrante të kushtetutës, por mbështetësit dhe votuesit vetëm do të shtohen”, u shpreh Berisha.
Sali Berisha prezantoi sot 6 kandidatët për kryetar të Bashkive duke konfirmuar koalicionin me LSI-në të cilën e ka “pagëzuar” me emrin “Shtëpia e Lirisë”. Megjithëse, flet në emër të Partisë Demokratike, Berisha pranoi sot se nuk e përdor dot logon e PD-së, pasi sipas tij e ka konfiskuar Rama dhe Lulzim Basha është peng i tij, ndërsa shtoi se logon e koalicionit do e vendosin më vonë.