Shtatë gjyqtarët kushtetues të martën do të do të marrin në duart e tyre fatin e Ilir Metës.
Para seancës gjyqësore, në dyert e gjykatës mbërritën përfaqësuesit ligjor të Presidentit të cilët kërkuan të njiheshin provat e paraqitura kundër tij. Pas më shumë se 1 ore, juristët presidencialë arritën të njiheshin me një pjesë të dokumenteve nga ku do të përgatisin mbrojtjen ligjore të Ilir Metës.
Mësohet se kjo mbrojtje do të fokusohet në tre elementë. E para është koha në të cilën po zhvillohet ky proces.
“Presidenti u investua që në datën 1 korrik që të shqyrtohej sa më parë ky gjyq para mbarimit të legjislaturës”, tha Dervishi, këshilltari për çështjet ligjore të Presidentit.
Presidenti mendon se shkarkimi i tij është votuar gjatë një legjislature që tashmë ka përfunduar dhe si rrjedhojë edhe vullneti politik në sallën e Kuvendit mund të ketë ndryshuar.
Kontestimi i dytë i Metës ka të bëjë me konfliktin e interesit e paktën një pjese të trupës. Gjyqtarja Fiona Papjorgji është atakuar nga kreu i shtetit në Kolegjin e Posaçëm të apelimit ndaj të cilës ka kërkuar edhe masë disiplinore. A2 CNN ka mësuar se ky do të jetë një nga pretendimet në sallën e gjyqit ku do të kërkohet papajtueshmëria e disa anëtarëve të Gjykatës për të cilët stafi i Metës pretendon se janë në konflikt interesi.
Argumenti i tretë i mbrojtjes është më tekniku dhe ka të bëjë me mungesën e një ligji organik për funksionim e institucionit të Presidentit të Republikës. Pa pas një ligj, nuk mund të ketë shkelje ligjore, është në thelb arsyetimi i juristëve të Presidencës.
Kjo mbrojtje ligjore do të jetë decizive për Ilir Metës pasi mbi të varet fati politik i tij, nëse do të jetë presidenti i parë i shkarkuar apo do të jetë politikani që ka korrur fitore në të gjitha betejat ligjore, që nga Gjykata e Lartë deri tek ajo Kushtetuese. (a2cnn)