Sali Berisha ka mbajtur dje zgjedhjet për të zgjedhur kandidatë për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Edhe pse KQZ njeh Bashën si kryetar dhe emrat që do të shkojnë në emër të PD do të jenë të tjerë, Berisha mbajti një proces primar për të zgjedhur përmes votës kandidatë që do ta përfaqësojnë në 6 bashki.
Dje u votua në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Lushnjë dhe Rrogozhinë. Por ajo që ra në sy është se ka pasur një “lëmsh” me shifrat e anëtarëve. Ashtu siç ndodhi me votimin për shkarkimin e Bashës, edhe dje shifrat publikuara kanë qenë shumë të dyshimta.
Nëse i marrim me radhë, “Foltorja” njoftoi se në Lushnjë nga 1920 anëtarë, votuan 1056! Në përfundim të votimit Elton Bano u zgjodh me 671 vota. Arben Zaimi mori 240, Aurion Iljazi mori 49 vota, ndërsa Indrit Qerimi 92 vota. Tre të pavlefshme një abstenim. Por në të vërtetë, rezulton se në Lushnjë janë 2848 anëtarë të PD dhe jo 1920.
Nga ana tjetër kemi një rezultat shumë të ndryshëm nga ai referendumit të 18 dhjetorit pasi “Foltorja” njoftoi në atë kohë se 757 anëtarë votuan për shkarkimin e Bashës. Pra duket qartë që kemi një shumëllojshmëri shifrash. Nëse shkojmë në Durrës, “Foltorja” njoftoi se kanë marrë pjesë 1546 votues! 1162 votues kanë votuar kandidatin Ardian Muka, i cili është shpallur fitues.
Silvja Gjepali mori 373 dhe 11 vota ishin të pavlefshme. Ndryshe nga sa pretendon Foltorja, rezulton se në Durrës janë 2700 anëtarë të Partisë Demokratike. Si për ironi, rezulton se në referendum kanë marr pjesë 2044 anëtarë, pra dje kanë shkuar më pak.
Në Dibër, kanë marrë pjesë 713 votues, nga këta 424 Premtim Kryemadhi, 121 Dafina Muda dhe 158 Behar Dema, 10 vota kanë qenë të pavlefshme. Ndërkohë për çudi kur u bë referendumi kundër Bashës morën pjesë 667 anëtarë. Në se shkojmë te Vora, fitoi me 277 vota Lulzim Vrana, nga 332 fletë votimi. Ndërkohë kur u mbajt referendumi kundër Bashës morën pjesë 410 anëtarë.
Pra kanë votuar më pak. Në Rrogozhinë, në votime kanë marrë pjesë 316 votues, ku kandidati Hekuran Xhani mori 211 vota. Ndërsa në referendum në këtë qytet votuan 400 persona. Pra dje ka pasur më pak.
Krahasimi me zgjedhjet për kryetar
Por nëse bëjmë një krahasim të shifrave me zgjedhjet për kryetar kemi një ndryshim akoma dhe më të madh. Në zgjedhjet e qershorit Basha mori 2166 vota në Durrës. Ndërkohë në Vorë ka marrë 291 vota, ndërsa del se dje kanë marrë pjesë në votim më shumë se për zgjedhjet e kryetarit. Në Lushnjë Basha mori mbi 400 vota, ndërsa dje fituesi kishte 671 vota.
Këto shifra tregojnë se kemi një manipulim me të dhënat e anëtarësisë. Përmes kësaj lëvizje Berisha synon të tregojë se zgjedh baza, por misteri është se çfarë do të ndodhë tani. Pavarësisht se u zgjodhën kandidatët nuk dihet se nën logon e kujt do të garojnë pasi PD do të ketë emra të tjerë.