Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi komentoi situatën politike në vend, ndërsa lëshoi një lumë kritikash në adresë të dyshes Meta-Berisha.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ligjvënësi Koçi shprehet i bindur se Ilir Meta ka qenë presidenti më i keq që ka pasur Shqipëria, ndërkohë që shtoi se kreu aktual i shtetit është palë me Sali Berishën.
Sipas tij, Meta gjatë këtyre viteve ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, veprime dhe vendime këto që në disa raste nëse nuk do të ishin marrë masat do të kishte prodhuar destabilitet për vendin.
-Zoti Koçi, presidenti Ilir Meta ka dekretuar zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki. A është Partia Socialiste gati për këto zgjedhje dhe kaq shpejt?
Ne si Parti Socialiste mezi e kemi pritur që të mbahen këto zgjedhje të pjesshme vendore në këto 6 bashki, të cilat e kanë vendin e kryetarit vakant. Sigurisht ka qenë përgjegjësia e pa ushtruar në nivel kushtetues e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta që e vonoi deri tani, sepse në përgjigje të Kushtetutës do t’i duhej që herë pas here dhe sipas rastit, pra me krijimin e vakancave në pozicionin e kryetarit të Bashkisë të shpallte zgjedhje të parakohshme përmes nxjerrjes së dekretit.
Këto janë zgjedhje të parakohshme dhe janë zgjedhje që do të nxjerrin kryetar bashkie një individ që do të qëndrojë në atë detyrë 1 vit, por që gjithsesi kanë një peshë të veçantë porsa i përket interesave të komunitetit në bashkinë, ose në bashkitë ku do të mbahen këto zgjedhje. Ndërkohë ashtu siç e tha edhe kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama këto zgjedhje nuk janë një betejë që kanë një rëndësi shumë të madhe politike për ne si PS, por që gjithsesi ne do t’ia bëjmë shërbimin këtyre zgjedhjeve dhe do të synojmë që t’i fitojmë të gjitha këto bashki më 6 mars.
Megjithatë mendoj se problemi më i madh politik është tek opozita, pasi ajo është e ndarë tashmë në dy pjesë dhe këtu e kam fjalën tek Partia Demokratike.
-Dakord, por kriza në Partinë Demokratike duket se iu favorizon juve si Parti Socialiste dhe madje iu vjen për shtat dhe iu bën më të mundur rrugën drejt marrjes së këtyre 6 bashkive dhe veçanërisht asaj simbol të demokratëve, kundër është Bashkia e Shkodrës?
Në interesin afatshkurtër po. Por në interesin afatgjatë jo. Sepse modeli që ka krijuar tashmë Partia Demokratike me ato revolucionet me qysqi, sigurisht që është një model që e infekton shoqërinë shqiptare dhe e kthen politikën le të themi nga një instrument demokratik në një tentativë, e cila mund të ushtrohet nëpërmjet dhunës, nëpërmjet sulmeve, etj, etj. Kështu që sigurisht që ka një lloj avantazhi, por mendoj se opozita e vërtetë e jona janë problemet që ka sot shoqëria dhe komunitet në këto 6 bashki, sepse kemi shumë akoma për të bërë, në mënyrë që standardi i jetës dhe marrëdhëniet mes votuesve-banorëve dhe institucioneve të jetë gjithnjë e më demokratik, transparent dhe më përgjegjësidhënëse, edhe sigurisht për të krijuar edhe institucione që të jenë në një nivel të lartë shërbimi.
-Në rregull! Mirëpo do të doja t’iu pyesja për një deklaratë që bëri javën që shkoi kryeministri Edi Rama sa i takon vetëofrimit të Valdrin Pjetrit për të rikandiduar në Bashkinë Shkodër, teksa shefi i selisë rozë i mbyll derën atij dhe kujtdo që ka precedentë si ai. Kështu që më lejoni t’iu pyes a është e drejtë kjo lloj qasje?
Absolutisht që është një qasje shumë e drejtë. Rasti i Valdrinit unë jam shprehur për atë në momentin që ka ndodhur identifikimi i mungesës së transparencës nga ana e tij në dokumentet që shoqërojnë kandidaturat e këtij niveli dhe sigurisht ajo nuk është bërë me qëllim, pasi ka qenë një lloj naiviteti. Por në politikë kësisoj ngjarjesh kanë kosto. Kështu që unë jam 100% dakord me zotin Rama në rastin e Valdrinit, pavarësisht se e njoh dhe e di që është një kuadër i përgatitur. Megjithatë pavarësisht kësaj, dua të theksoj se në PS nuk ka vend për asnjë lloj individi që ka probleme me ligjin. Partia Socialiste nuk është dhe nuk do të jetë mburojë për askënd që ka probleme me drejtësinë.
-Ju kuptoj. Më sipër ju thatë që synon t’i merrni të 6 bashkitë dhe padyshim kjo është ambicia për cilindo subjekt politik që hyn në garë zgjedhore. Por unë do t’iu pyes drejtpërdrejt se me sa bashki do të ishte e kënaqur PS?
Tani unë besoj se gjithmonë kur merr shumicën duhet të jesh i kënaqur. Kështu që pa iu hyrë numrave në rastin konkret është 4 dhe sipër ajo që na kënaq të marrim.
-Le të dalim pak dhe të përqendrohemi tek politika qendrore. Si e keni parë qasjen dhe protagonizmin e shfaqur ditët e fundit nga presidenti Ilir Meta?
Ilir Metën e pashë edhe një video që recitonte nga Korça dhe nuk e di, por shoh që ai ka probleme psikologjike. Këtë konstatim madje e kam thënë edhe herë të tjera për gazetën tuaj. Mendoj se Ilir Meta është i lidhur fort me Sali Berishën dhe modeli i tij është Berisha është Presidenca dhe Presidenca Meta është modeli më i keq dhe shëmtuar i të gjitha këtyre viteve demokraci. Mendoj se Presidenca aktuale është më e kompromentuar se ajo e Berishës e viteve ’90. Ilir Meta mban qëndrime të çuditshme dhe aspak normale që nuk i kanë hije një Presidenti. Dhe ajo që është më e rëndësishmja në rastin “Meta”, është fakti se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë shumë herë dhe është i tmerruar nga shkarkimi. Por më e rëndësishme është që ai ka shkelur Kushtetutën aq rëndë, siç ishte rasti kur anuloi zgjedhjet lokale të 30 qershorit në vitin 2019. Mendoj se ai vendim i paprecedent i Ilir Metës kur anuloi zgjedhjet vendore të 2019, mund ta kishte cuar vendin edhe në luftë civile. Pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ajo që ndodhi në Shkodër me djegien e Qendrave të Votimit në 30 qershor të 2019, mund të kthehej në një aksion masiv të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në një konflikt të vështirë për t’u zgjidhur. Falë këtij komunikimi që ne kemi me komunitetin ndërkombëtar, prezencës së tyre, qenia anëtar i NATO dhe të gjitha këto janë shanse që tentativa të tilla nga mendje të sëmura si kjo e presidentit Ilir Meta të dështojnë vazhdimisht. Meta është një politikan aventurier.
-Pra ju po thoni që Ilir Meta dhe Sali Berisha janë bashkë. Por po ju pyes meqenëse më 1 shkurt është seanca për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. A mendoni se 6 marsi do ta gjejë Ilir Metën president?
Unë mendoj se jo! Pra mendoj se vendi ka nevojë që këtyre lloj personazheve t’iu japë një leksion. Do të ishte në të mirë të demokracisë dhe institucioneve që të pastroheshin nga politikanë të kompromentuar si Ilir Meta. Ky i fundit duhet të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Ky do të ishte një mesazh për të gjithë politikanët qofshin majtas apo djathtas, që kushdo që shkel Kushtetutën për interesa personale dhe partiake, të marrë ndëshkimin e merituar. Ilir Meta ka dhunuar Presidencën në këto vite dhe ka parë vetëm interesin e tij personal.
-Pra e thënë ndryshe, kësaj i bie që Ilir Metën ta keni kundërshtar më pas?
Po! Ilir Meta është kundërshtar i vetëshpallur dhe uroj që ai të bëjë ato shfaqje në zgjedhjet fundit, ku me diskursin e tij në publik na ka ndihmuar ne si Parti Socialiste që të rritemi më shumë. Qytetarët nuk e duan Ilir Metën dhe na ka bërë nder që bën kësisoj shfaqjesh të shëmtuar, skundër ndodhi ajo tek zyrat e Frymës së Re Demorkatike, ku Ilir shante dhe sulmonte si rrugaç.
-Keni një koment për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin edhe këtë fundjavë Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë një reagimi theksoi se nuk ka kthim pas për “non grata-n” e ish-liderit demokrat?
Unë e kam thënë edhe më herët për ju që Sali Berisha ka qenë kartë e djegur për amerikanët që në vitet 2000. Me CIA-n Berisha i kishte kartat e djegura me kohë, por Departamenti kishte tjetër linjë andaj edhe shpallja e tij “non grata” u bë tani. Madje, edhe SHISH i drejtuar nga Fatos Klosi kishte dijeni që Sali Berisha për CIA-n ishte kartë e djegur. Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ajo që konceptonim ishte fakti që me CIA-n, Sali Berisha i kishte kartat e djegura.
Por Departamenti i Shtetit ndikohet nga politikat dhe ka një filozofi tjetër. Ndërsa CIA vendos nëpërmjet fakteve konkrete në terren që mesa duket ndaj Berishës i kanë pasur që në atë kohë. DASH e mori vendimin për Berishën, 20 vjet pasi CIA ia kishte djegur kartat. Unë kam qenë në Uashington nga vitet 2005-2006 dhe në atë kohë Berisha ishte në pushtet, por CIA e konsideronte si kartë e djegur. Pra, DASH e mori vendimin pas 20 vitesh, edhe për faktin se Berisha ishte kërcënim për vendin dhe rajonin.
-Si përfundim më lejon t’iu pyes për fushatën e Këshillimit Kombëtar, i cili është një pyetësor prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla; familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, ku qeveria kërkon edhe mendimin e qytetarëve. Si ju duket kjo iniciativë?
Këshillimi Kombëtar ndihmon shumë dhe qeverisjen. Është një fushatë që meriton respekt dhe duhet përshëndetur. Përmes këtij pyetësori, qeveria do të marrë në konsideratë mendimin dhe sugjerimet e qytetarëve, çka për mua është shumë qasje e mirë. /Rigels Seliman