Ish-kryetari i shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, ka deklaruar dje se Prokuroria e Posaçme nuk ka më asnjë pengesë të hetojë ish-kryeministrin Sali Berisha.
s
Në një studio televizive ai komentoi deklaratën e bërë nga i dërguari i DASH, Gabriel Eskobar se nuk e njohin Berishën si kryetar të PD.
“Duket se Berisha nuk e merr dot me letra PD-në, pra duket se Escobar e mban lojën brenda Berishës. Por edhe ndonjë partie tjetër ndoshta që mund të ketë të shpallur “non grata” në të ardhmen.
I mbetet institucioneve shqiptare nëse kanë të dhëna për Berishën, apo dhe të të tjerëve që nuk janë “non grata”, t’i bëjnë kërkesë SHBA-ve për informacione se çfarë kanë ata.
SPAK, në dhjetor e ka mbyll me shqiptarët që u plotësua. BKH u bë i plotë. SPAK-un nuk e pengon askush që të fillojë hetimet.
SHBA i ka dhënë rrugën nëse duan provat”, u shpreh Hajdari. Dy ditë më parë ka folur për situatën në Ballkan dhe në Shqipëri zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili u pyet se çfarë do të ndodhë nëse Berisha i shkon deri në fund misionit të tij për të larguar Bashën.
Ai u shpreh se nuk mundet që një parti të ketë kryetar një të korruptuar. “Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’iu kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor.
Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet, apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, tha ai.
Escobar u ndal edhe te procedura e shpalljes “non grata”. Ai e bëri të qartë se kjo ka të bëjë me luftën ndaj korrupsionit dhe nuk ka lidhje me politikën.