Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit sot, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për tu njohur me masën “arrest shtëpie” të dhënë nga gjyqtarja Liljana Baku. Sipas burimeve, Tahiri ka qenë i pranishëm në seancë, teksa ka thënë se për të është njësoj si të jetë në arrest shtëpie, si në burg.
Në seancën për njohjen e masës, nga burimet mësohet se Tahiri ka mohuar akuzat e prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Elisabeta Imeraj, duke i cilësuar ata, se kanë abuzuar me faktet:
“A mund të më thotë prokuroria, për çfarë kam dhënë urdhër, a ka ndonjë moment ku unë shfaqem në praninë e personave që akuzohem?
Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës.
Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem.
Gjatë kohës që më është kthyer passaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy!/Ekskluzive.al