Hera e fundit që kemi parë dikë të recitojë mund të ketë qenë “Festa e Abetares” por duket se “old school” po rikthehet!
Këtë e ka bërë presidenti Ilir Meta, i cili ka nisur një trend në rrjetet sociale teksa u filmua dje duke recituar në mes të një stuhie dëborë për qytetin e Korçës.
Videoja e presidentit që recitonte me këmbë e duar vargjet e Naim Frashërit, sapo u publikua u bë virale në rrjet. E aq u desh! Trendi i ri nisi, e gjithashtu e sfida.
“Metachallenge” është rikrijuar nga shumë personazhe të tjera të jetës publike në vend, por nota humori kanë shkaktuar aktorët e humorit që e kanë krijuar me atë rast edhe disa vargje autentike të tyre. Gjithë “vallja” u nis nga aktori i humorit, Agron Llakaj, që i dedikoi një poezi cigares.
‘Me rastin e hapjes së konkursit të poezisë nga Ilir Meta drejpërsëdrejti nga qyteti i Korçës, do jem dhe unë pjesë, nuk dua çmim, mjafton pjesmarrja. E dashur dua të bëhem cigare të mbes në buzët e tua, sa herë që ta thithësh të më kujtosh mua.
Por jo e dashur, ti gjithmonë e prish planin, kur unë bëj një cigare unë e lë duhanin,’- thotë aktori në video. Përpjekje e mirë por jo aq sa duhet. Teksa Meta xhironte në borë, aktori ndodhej në rehatin e shtëpisë së tij. Eliminohet!
I radhës e vazhdoi garën, aktori tjetër i humorit Salsano Rrapi. As ky nuk ka dalë në dëborë, por në ballkon.
“Lum për lagjen që unë kam, tek pallati me tulla të kuqe. Iu kam të gjithëve shumë xhan, edhe ty moj Burbuqe”
Megjithatë gara ka nisur fort në rrjet duke u bërë më virale se “Icebucketchallenge” dikur… Hapni duart dhe nisni recitoni! Le të fitojë më i miri!