Spartak Braho ka folur sërish për protestën e 8 janarit para selisë së Partisë Demokratike e cila denigroi në dhunë nga ish-kryeministri Sali Berisha. Braho tha se ish-kryeministri ishte nisur në protestë për viktima, teksa shtoi se vrasja pas krahëve është politikë e Berishës prej kohësh.
Ish-deputeti i PS deklaroi se ish-kryeministri ka krijuar një sekt vrasës me njerëz të afërt të tij, kryesisht tropojanët dhe kamikazë nga zona e veriut. Sipas tij, nëse Berisha nuk arrestohet është e sigurt se do të ketë viktima. “E gjithë historia politike e Berishës që nga 1991 deri më sot është ajo e vrasjeve pas krahëve.
Ai ka pasur ndikimi, siç thotë populli “qyqja nuk i çel zogjtë në folenë e saj, por diku tjetër”, edhe ai këtë punë ka bërë. Basha e di shumë mirë që do të kishte të vrarë. Kjo e detyroi ta shihte me seriozitet dhe blindoi dyert. Bëri mirë. Sali Berisha derën e shtëpisë e ka të blinduar.
Të tërë ata që bërtasin “pse u blindua?”, dyert e shtëpisë i kanë të blinduara. Kjo është arsyeja që Basha thirri kosovarë për të mbrojtur jetën. Nëse nuk arrestohet Sali Berisha, do ketë viktima. Sali Berisha është sekt vrasës. Ka krijuar sekt vrasës me njerëz të afërt, tropojanët dhe nga zona të veriut që janë kamikazë” u shpreh ai në “Vizion Plus”.
Ja e vërteta e ekzekutimit të Alibeajt
Nga ana tjetër lidhur me deklaratat për ekzekutimin e deputetit Enkelejd Alibeaj, Braho u shpreh se bëri mirë që nuk ishte i pranishëm atë ditë në seli. Ish-deputeti tha se Alibeaj nuk mund ta quajë atë deklaratë shantazh, pasi të gjithë e dinin qartë se ata që erdhën në protestë kishin ardhur për gjak dhe dhunë.
Braho u shpreh se Berisha ka njerëz të infiltruar që punojnë në dy karrige. Sipas tij, këta njerëz punojnë në heshtje për Bashën dhe për Berishën dhe ditën e protestës së 8 janarit ishin programuar për hakmarrje.
“Informacioni është informacion. Kam burimet e mia dhe jo në të tëra rastet bëhen publik me hollësira, por unë do të them diçka. Alibeaj ka bërë mirë që nuk shkoi atje. Mos të ngrihet si gjel deti tani nga Mallakastra dhe të thotë që ishte shantazh. Se konsideratat e tjera, në daç të PD, ndaç të tërë deputetëve të PD-së që ishin të ngujuar atje, e panë qartë aty që kishin ardhur për dhunë, terror dhe gjak.
Ajo që thashë unë ishte plotësisht e saktë dhe u realizua. A do t’i hapim letrat? Sali Berisha ka njerëz në grupin parlamentar të Lulzim Bashës, të infiltruar. Punojnë me dy karrige. Në heshtje janë të Bashës dhe në heshtje punojnë për Berishën dhe atë ditë është programuar që me çdo kusht duhet të hakmerremi, të krijojmë një alibi dhe ta realizojmë”, tha ai.
Ish-deputeti i PS edhe pak ditë më parë u shpreh se protesta e 8 janarit në strategjinë e Berishës duhet të ishte mbyllur me viktima. Ai tha se lufta me mjete të forta si çekiçë, vare e shkallë mund të kishte sjell vërtet viktima. Braho po ashtu lëshoi një tjetër deklaratë të fortë ku u shpreh se përveç deputetit Enkelejd Alibeaj, ishte planifikuar edhe vrasje e 4 të tjerëve ndër to deputetët Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji. /NGA ALEKSANDRA HOXHAJ