Ilir Meta duket i trembur nga burgu dhe ka filluar të kërcënojë Edi Ramën me dosjet që sipas tij ka Adriatik Llalla.
Pavarësisht se e di se çështja e arrestimeve të “peshqve të mëdhenj” tashmë është përtej fuqisë dhe ndikimit të Edi Ramës, i cili mund të jetë vetë një “peshk i madh” për drejtësinë, Meta si gjithnjë bën përpjekjen deri në momentin e fundit për të shpëtuar nga burgu.
Për këtë arësye ka nxjerrë “zarin” e tij në media, Artur Zheji për të hedhur kërcënimin se Llalla do ta groposë Edi Ramën me dosjet që ka ndaj tij.
Dhe për këtë i kujton Ramës se e ka ngacmuar kot ish kryprokurorin në qetësinë e tij, pasi s’duhej ta shqetësonte dhe të lejonte që paratë e vjedhura ti konsumonte rehat në Gjermani.
Metës nuk i bëjnë përshtypje aferat në të cilat është përfshirë Adriatik Llalla, teksa thotë përmes Artur Zhejit se ish Kryeprokurori do nxjerrë dosje kompromentuese për Ramën.
Të njëjtën gjë, sipas Zhejit, do të bëjnë edhe Tahiri me Xhafajn, deklarata këto që pasojnë deklaratën e Metës për Tahirin paradite.
Duke garantuar njëherësh dhe Xhafajn se është Rama ai që po çon kokën e tij si “kurban” në tepsi për Merkelin për të marrë hapjen e negociatave.
“Trekëndëshi i Bermudës, është një hapësirë e frikshme në Karaibe, ku cunamet dhe forcat magnetike negative, kanë krijuar një mister të trishtueshëm dhe shumë legjendar, si trekëndëshi i humbjes pa nam e nishan…
Duket sikur, në mënyrë të ngjashme edhe në politikën e sotme shqiptare, Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, po shndërrohen në koordinatat e një furtune shkatërrimtare, që do të përcaktojë në shtatorin e ardhshëm, maksimumin e goditjes së vet.
Në të njejtën kohë, Tahiri, Xhafaj dhe Llalla, janë tre nga njerëzit më të informuar në Shqipëri, njerëzit më të specializuar dhe më të pasurit në çështje dosjesh, të cilat mund të hedhin në erë, cilindo politikan në Shqipëri, duke filluar nga jeta private dhe deri te dokumentat më komprometuese të natyrës politike dhe të natyrës ekonomike.
Lufta kundër Adriatik Llallës përshembull, do të ketë shpejt si përfundim të parë, nxjerrjen në treg të shumë dosjeve që lidhen me korrupsionin e qeveritarëve dhe ministrave të Ramës, të cilat Llalla disponon.
Nëse s’nënshtrohet, “raprezalja” e ish- prokurorit të përgjithshëm do mund të jetë shkatërrimtare për kryeministrin sepse do të jetë padyshim një proces jo më i kontrollueshëm.
Urtësia dhe qetësia e ish- kryeprokurorit është vetëm aparencë dhe lidhjet me shpresën se gjërat mund të marrin për mirë, që do të thotë të zgjidhen përmes kompromisit.
Tanimë Adriatiku shquhet si njeri që deri dje ka qenë besimplotë në negociatat e fshehta me të dërguarit e Ramës, që bindën të largohet urtë e butë nga posti i lartë, në pritje të një portofoli ministror si shpërblim.
Dhe shpërblimi erdhi: Llalla është sot në një pozitë shumë të vështirë për lirinë e tij personale”, shkruan Zheji. Sipas tij, pas çështjes kundër Xhafajt, qendron pikërisht Edi Rama dhe Tahiri.
“Rasti i ministrit Xhafaj, që është në shpërthim, duket qartazi që e ka burimin nga vetë kupola drejtuese e PS dhe ndoshta edhe nga vetë Tahiri, që ka shpresën dhe iluzionin e rremë, se duke shtyrë më parë ministrin e sotëm të brendshëm, do të jetë ai, Fatmir Xhafaj pra, koka e kurbanit që do ti dërgohet në tepsi zonjës Merkel.
Dhe duket se Partia Demokratike, po i jep një dorë të mirë në këtë drejtim edhe Tahirit edhe Ramës, që mezi e duron Xhafën dhe autoritetin e tij të sponsorizuar nga amerikanët.
Mirëpo pas gjithë kësaj, në të vërtetë po gatuhen të gjitha elementët e duhur, për një shpërthim të madh skandalesh, që do të ketë një rreze shkatërrimtare 360 grade dhe që ndoshta do ta shpëtojë Shqipërinë, nga pjesa më e madhe e kësaj klase politike, që ska me se çthotë e ska më se çtë bëjë… Pikërisht si trekëndëshi vrastar i Bermudës”, shkruan Zheji./Pamfleti.com