Ngritja e shtabit të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale amerikane në Shqipëri ka bërë jehonë në mediat ruse. Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet SHBA-Rusi janë rritur dhe Uashingtoni po dërgon mesazhe të artë se Ballkani nuk mund të ndikohet nga influencat e tjera.
Shumë media kanë shkruar për këtë lëvizje, përfshirë dhe ato ruse. NVL shkruan se Uashingtoni planifikon, me ndihmën e Tiranës, të zvogëlojë ndikimin e Moskës mbi Beogradin, pasi Serbia është aleati i vetëm i Rusisë në gadishull. Një përpjekje tjetër e SHBA-së për të ushtruar presion ndaj Rusisë është rritja e fuqisë ushtarake në gadishullin ballkanik, theksohet më tej.
Një artikull më të gjatë ka bërë “PolitRussia”, e cila ka marrë një reagim dhe nga analisti amerikan Rik Rosoff, cili shprehet se SHBA po tenton të ulë ndikimin në Ballkan. “Sipas Rick Rosoff, është e rëndësishme të kuptohet se, pavarësisht përmasave të vogla, Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm në fushën e sigurisë, si në rang rajonal ashtu edhe në atë global.
Siç e dini, Shtetet e Bashkuara mbajnë marrëdhënie shumë të ngushta me autoritetet lokale dhe Departamentin e Mbrojtjes. Për më tepër, sipas planit të Uashingtonit, zhvillimi i marrëdhënieve ushtarake me Tiranën do të bëhet një prioritet kyç për NATO-n për të ulur ndikimin rus në Ballkan, si dhe për të ushtruar presion ndaj Serbisë, me të cilën blloku ushtarak ka një histori të gjatë”, thuhet në artikull.
Më tej theksohet se nëse NATO-ja arrin të shtypë Beogradin dhe ta nënshtrojë atë në vullnetin e saj, Rusia do të humbasë aleatin e saj të fundit besnik evropian. Më tej theksohet e kjo bazë mund të përdoret si levë presioni ndaj Rusisë, për t’i treguar se SHBA ka ndikimin e saj në Ballkan.
Ngritja e shtabit ushtarak
Javën që lamë pas, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) njoftoi se ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion. Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik, shprehej Komanda.
“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare”, thuhej në njoftim. Më tje u bë e ditur se SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme.