Plaku 78 vjeçar i skeduar si “non grata” nga SHBA Sali Berisha duket se po shkon drejt tërheqjes, pas dështimit të protestës së të shtunës së thirrur prej tij, e cila degjeneroi në përplase dhe dhunë mes demokratëve.
Edhe pse gjatë këtyre ditëve ish-kryeministri Berisha dhe ithtarët e tij kishin premtuar se më 8 janar do ta “pushtonin” selinë e PD dhe do t’iu rikthenin atë demokratëve, nuk ka ndodhur aspak kështu. Tubimi i dy ditëve më parë nuk përmbushi misionin për të cilin ishte thirrur nga ish-lideri demokrat dhe rezultoi një dështim.
Demokratët e udhëhequr nga Berisha dhe anëtarët e Grupit të Rithemelimit u mblodhën në oborrin e selisë blu, ndërkohë që ra në sy fakti se ata ishin të pakët në numër dhe tentativa e tyre për ta uzurpuar godinën e Partisë Demokratike ishte thjeshtë “një flakë kashte”, pasi protestuesit u zmbrapsën nga policia dhe i mbathën me të katërta.
Vetë Berisha që doli nga selia e PD me maskë kundra gaz, disa minuta pasi forcat speciale kishin shpërndarë protestuesit e dhunshëm me gaz lotsjellës dhe autobote me ujë, premtoi se do të riktheheshin për të marrë godinë. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe disa orë pasi kishte nisur, ish-kryeministri Berisha iu kërkoi protestuesve që të shpërndaheshin, duke mbyllur kështu protestën që zgjati disa orë.
Berisha nis tërheqjen, nuk ka datë për protesta të reja
Dje Berisha u rikthye në selinë e Partisë Demokratike, e cila nga organet ligjzbatuese të shtunë u cilësua skenë krimi, ndërkohë që entuziazmi i tij ishte venitur, duke ja lënë vendin skepticizmit. Një gjë e tillë madje u pa edhe në fytyrën e trembur të Berishës, e cila ishte e ngrysur, ndërsa shihej qartë teksa ai fliste për mediat.
Berisha u pyet nga gazetarët se kur do jetë protesta e radhës për të marrë PD-në, por nuk dha një datë dhe u mjaftua me shprehjen e tij lapidar se: “Revolucioni vazhdon”. Sipas Berishës, protesta u shua për shkak se polica hodhi shumë gaz lotsjellës kundrejt protestuesve.
“Erdha sot këtu për të falënderuar ata dhjetëra mijëra protestues që erdhën dhe u mblodhën nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët në një mision historik të mbrojtjes së pluralizmit politik sakrifikuan dhe u larguan pasi hordhi, narkobanditë me uniformë përdorën sasi toksike gazi kundër atyre. Gjithmonë në betejë ka një tërheqje kur shikohet se është përdorur lëndë kimi toksike.
Kjo ishte e vetmja arsye. Por pavarësisht nga këto, ato siç u konstatua dyert e blinduara nga Lulzim turpi i hapën. Prania jonë këtu është një zotim se asgjë nuk mund të pengojë konsolidimin e pluralizmit politik në Shqipëri”, deklaroi ai.
Mirëpo kjo deklaratë e Berishës tregon se ai është tërhequr, pasi jovetëm që nuk mbajti premtimin ndaj demokratëve që i ftoi në protestë se të shtunë do ta merrnin selinë e PD, por ishte në gjendje të tregonte një datë se kur do të zhvillohej tubimi i radhës kundër Bashës.
Më tej gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha, të cilin e konsideroi një vrasës të pluralizmit. “Dua të shpreh në emër të komisionit të Rithemelimit të PD, përshëndetjet më të zjarrta, mirënjohjet më të pakufishme ndaj heronjve të 8 Janarit, të cilët me një mision historik, me guximin, mençurinë, vetëpërmbajtjen, gjakftohtësinë, u faktuan shqiptarëve se, Lulzim Brava është sot një armik po kaq i egër, një fytyrë po kaq mizore për demokratët shqiptarët”, nënvizoi Berisha. /Rigels Seliman