Shtëpia e ministrit grek të Shtetit, Alekos Flamburaris u bë përsëri objekt i një atentati me bombë, dje në orët e para të mëngjesit.
Një grup të rinjsh ka sulmuar një patrulle policie të stacionuar jashtë shtëpisë së ministrit, duke përdorur gurë, shishe dhe duke shkaktuar dëme materiale në makinat përreth. Autoritetet greke pohuan se grupi i anarkistëve hodhi rreth 10 kokteile molotov kundër banesës. Grupi dëmtoi edhe disa makina në lagje.
Ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës në lagjien Eksarqia të Athinës, në kohën kur ministri ndodhej në banesë. Për fat, dëmet në banesë ishin vetëm jashtë mureve dhe banorët e saj nuk u rrezikuan.
Prej sulmit u dëmtuan rëndë dy automjete dhe njëri prej policëve që ruanin banesën mori plagë të lehta dhe u dërgua në spitalin ushtarak të Athinës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjysmë ore më vonë, një tjetër sulm ndaj forcave të policisë ndodhi jashtë zyrave të PASOK-ut, në rrugën “Harilau Trikoupi” në të cilën nuk u verifikuan dëme. Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Sulmi nuk është marrë përsipër prej grupeve anarkiste, por burime thanë se banesa e ministrit Flamburari u krye prej anarkistëve që kundërshtojnë politikat e qeverisë “Tsipras”, kryesisht reformën e skemës së sigurimeve.