Nga Mero Baze
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjeruar sanksionet ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, duke e avancuar atë në listën e sanksioneve të Deprtamentit të Thesarit, pas sanksioneve fillestare që ka marrë në vitin 2017 si person “non grata” për SHBA. Bashkë me Dodik dhe për shkak të tij, në listë është futur dhe një televizion lokal i quajtur “Alternativna Televizija doo Banja Luka”, që konsiderohet një etnitet i lidhur me të. Në akuzën e Departamentit të Thesait thuhet se “Dodik ka minuar institucionet e Bosnje-Hercegovinës, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës”.
Përse SHBA po detyrohet të avancojë sanksionet ndaj Dodik, duke e futur atë në listën e Deprtamentit të Thesarit, së bashku me disa politikanë të tjerë?
E vërteta është se pas vitit 2017, kur Dodik mori sanksionet e para nga SHBA, ai u angazhua në një aksion politik për të shkatërruar thelbin e Marrëveshjes së Dejtonit të nëntorit 1995, e cila siguroi integritetin tokësor dhe mbijetesën institucionale të Bosnjë Hercegovinës, duke pushuar luftën dhe duke krijuar një kuadër rregullator për bashkëjetesë.
Prej kur Dodik u fut në listën e sanksioneve të SHBA, ai filloi një angazhim publik për ta goditur SHBA tek investimi i tyre kryesor në Bosnjë Hercegovinë, që është Marrëveshja e Dejtonit. Me lidhjet e tij direkte me Rusinë, me ngritje të institucioneve paralele në pjesën serbe të Bosnjës dhe ngritjen e një fryme anti-amerikane që e maskonte me “interesat e serbëve të Bosnjës”, Dodik praktikisht ka bërë këto vite atë që Sali Berisha po bën këto muaj, qyshkurse ka hyrë në rrethin e parë të sanksioneve të SHBA.
Njësoj si Dodik, Berisha ka shpikur pas sanksioneve një armik lokal dhe ai është Lulzim Basha, ka shpikur një konspiracion ndërkombëtar, që është Xhorxh Sorosi, dhe në fakt po punon natë e ditë të krijojë një front anti-amerikan në Shqipëri, që të duket njeri me mbështetje politike.
Dhe këtu Berisha, njësoj si Dodik, ka një fat. Bosnja dhe Shqipëria janë vende me korrupsion të zhvilluar sa i përket elitave politike, të cilat rrugët e pasurimit në shumicë i kanë informale dhe të deleguara tek njerëz të rrethit të tyre.
Njësoj si Dodik, i cili ka investuar në rrugë informale në një TV që mban flamurin e propagandës anti-amerikane tek serbët e Bosnjës dhe përpiqet të krijojë një opinion justifikues pse Dodik i kundërvihet sanksioneve të SHBA, edhe Sali Berisha ka ngritur të njëjtën skemë. Një televizion i financuar nga familja e tij në rrugë informale, është strumbullari i kësaj beteje. Aty janë derdhur gjithë lekët e korrupsionit të Berishës në pushtet, të ardhurat nga lojërat e fatit informale dhe subjektet e patatuara. Madje dhe formalisht televizioni drejtohet nga ish- zyrtarë të këtyre fushave gjatë pushtetit të Berishës.
Në të dyja rastet ekziston një problem dhe problemi është që liderët e korruptuar të Ballkanit, që në fund përpiqen të gjejnë strehë tek “patriotizmi” dhe “sovraniteti” kundër SHBA, janë lënë të lirë të gëzojnë miliardat e korrupsionit.
Paratë e ri-investuara të korrupsionit në sferën publike, janë sot taksa që SHBA dhe qeveritë vendase duhet të pagujnë për “kryengritjet” anti-amerikane në Ballkan. Duke përdoru fondet e zeza të korupsionit për të korruptuar elita politike, median dhe për të financuar aksione politike anti-amerikane, praktikisht këto vende në vend të penalizimit, i kanë kthyer në faktor politik të rëndësishëm këta personazhe.
Ndryshe nga Shqipëria, në Republikën e Serbve të Bosnjës njerëz të tillë shikohen dhe si heronj anti-amerikanë dhe e vetmja gjuhë që ata kuptojnë është kur i lë pa para, që të mos kenë me se të financojnë aktivitetin e tyre. Madje në vende të tilla anti-amerikane është gabim t’i shpallësh “non grata”, se i bën heronj. Ata duhen futur direkt e në listën e Departamentit të Thesarit, që t’u bllokosh fondet.
Në Shqipëri, Sali Berisha prej 9 shtatorit ka harxhuar miliona lekë të padeklaruara për një veprimtari publike anti-amerikane, kostot e së cilës llogariten lehtë, ndërkohë që televizoni i familjes së tij, është i financuar nga burime jo publike të ardhurash dhe askush nuk reagon ndaj tyre. Kjo bën që ata të ndjehen të sigurtë në aksionin e tyre politik, duke blerë figura politike por dhe aktorë të tjerë të medies, përveç televizionit që financojnë vetë.
Sanksionet e fundit ndaj Dodik janë rruga e duhur, pasi ngushtojnë lakun tek financimi i tij dhe i presin rrugën aq sa munden, ndërfutjeve të huaja financiare, sidomos të Rusisë në rajon.
E vetmja gjuhë që kuptojnë liderët e korruptuar të Ballkanit është t’i lësh pa para, pasi kështu i lë dhe dhe pa vota, dhe pa mbështetje, pasi gjithë aksioni i tyre mbështetet mbi mercenarë. Ngrefosja e tyre lidhet vetëm me faktin se kanë miliarda të fshehura dhe i përodrin për luftë politike.