Një tjetër gjyqtare ka dhënë dorëheqjen nga procesi kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit do të rigjykohet në Apelin e Posaçëm, por një numër i madh gjyqtarësh kanë dhënë dorëheqjen. Më herët kanë dhënë dorëheqjen Miliana Muça dhe Ilirjana Olldashi.
Aktualisht, trupa gjykuese ndaj çështjes “Tahiri”, përbëhet nga Florian Kalaja, Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi. Asnjëri prej tyre nuk është gjyqtar ne apelin e Posaçëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por janë zgjedhur në mënyrë të posaçme për këtë rast.
Ndërkohë seanca për Tahirin e Çelën pritet të mbahet sot (datë 05.01.2022) në orën 10:00. “Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore e radhës në datë 05.01.2022, ora 10:00.
Pas miratimit nga ana e zëvendës kryetarit të gjykatës, të aktit të heqjes dorë nga gjykimi, të paraqitur nga gjyqtarja D.Shirka, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga gjyqtarët: kryesues Engert Pëllumbi, anëtare Igerta Hysi dhe anëtar Florjan Kalaja”, njoftoi gjykata. Kujtojmë se Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim.
Trupa gjykuese u shpreh se nuk kishte asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri, duke kërkuar rigjykimin e dosjes nga e para. Vendimi i Shkallës së Parë që dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove u rrëzua kështu që Tahiri nisi betejën nga e para me drejtësinë. Arsyeja pse Gjykata e Apelit e kthehu edhe një herë hetimin për Tahirin në pikën zero, është se kishte vënë re disa parregullsi.
Në vendim thuhej se Gjykata e Krimeve të Rënda kishte rrëzuar 3 akuzat që ishin ngritur nga ana e prokurorisë, duke ngritur një akuzë të re për shpërdorim detyre dhe për këtë arsye Gjykata e Apelit u shpreh se nuk mund të jepte një vendim dënimi ndërkohë që nuk ishte bërë asnjë hetim./Sot