Fotoja e kamionit që edhe pse u skanua në Portin e Durrësit, nuk u zbulua dot sasia prej 119 kg kokainë që sekuestrua në Vaqarr ka sjellë nisjen e hetimeve.
Në ditët në vijim pritet që hetimet për këtë rast të kryhen nga prokuroria e posaçme SPAK, ku do të verifikohen veprimet e kontrollorëve dhe zyrtarëve të portit në lidhje me skanimin e kontejnerit.
Shoferi i kamionit, Hasan Salihu, i arrestuar për trafik droge, ka treguar përballë hetuesve se më 28 dhjetor kishte shkuar në portin e Durrësit për të marrë kontejnerin me banane për llogari të firmës “Ziço Sh.a”.
Në kthim drejt kryeqytetit, rreth orës 17:30, në vendin e quajtur Romanat, 4 persona që u prezantuan si punonjës policisë, i prenë rrugën dhe ushtruan kontroll në kamionin me banane.
Kur u larguan e kërcënuan që mos tregonte asgjë. Salihu ka deklaruar se pas kësaj ka vërejtur kutitë me banane që ishin të çrregullta si dhe gomat e mjetit ishin të rëna dhe për këtë kërkoi ndihmën e kolegut, Gëzim Kalaja.
Shoferi i kamionit pretendon se ishte shumë i frikësuar dhe nuk njoftoi policinë, por vuri në dijeni menaxherin e firmës, Marson Muratajn, ndërsa kamioni u transportua drejt magazinave në Vaqarr.
Ishte menaxheri që njoftoi pronarin e kompanisë, Trifon Murataj që jeton në SHBA, dhe ky i fundit më 29 dhjetor telefonoi drejtorin e përgjithshëm të policisë Gledis Nanon, për çfarë kishte ndodhur.
Nano njoftoi drejtorin e policisë kriminale dhe një ditë më pas, efektivët shkuan në magazinat e firmës në Vaqarr ku gjetën në 7 kuti me banane, sasinë prej 119 kg kokainë që ishte ndarë në 100 pako.
Një ditë më parë, gjykata ka lënë në burg, Hasan Salihun, Gëzim Kalanë dhe Marson Muratajn me akuzën e trafikut të drogës të kryer në bashkëpunim./ Nga Ermal Vija/ Abcnews.