Edhe pse Shqipëria nuk e ka të zhvilluar politikën e filmit, ajo mbahet si një nga pikat kryesore të kontaktit për produksionet e huaja që vijnë në Shqipëri për të xhiruar. Marrëdhënie të tilla jo vetëm ndihmojnë vendin në aspektin financiar, por edhe promovojnë Shqipërinë jashtë kufijve.
Një trup xhirimi hollandeze ka përzgjedhur Shqipërinë dhe ka filmuar në vendin tonë 12 seri për sezonin e ri të reality show-t të famshëm hollandez, “Kush është i infiltruari”, i cili do të shfaqet çdo javë, çdo të shtune deri më 5 mars.
Programi reality-show, bazohet te emisioni mëmë “De Mol” i televizionit belg VRT, nisur fillimisht në vitin 1998. Ai vë në garë të paktën 10 konkurrentë të cilëve u kërkohet të kryejnë sprova në mënyrë që të arkëtojnë të ardhura. Por mes tyre është një i infiltruar, i cili ka për detyrë ta sabotojë grupin. Ata duhet ta zbulojnë të infiltruarin.
Çdo vit produksioni i “Kush është i infiltruari” zhvendoset nëpër botë. Në të shkuarën kanë qenë në Australi, SHBA, Kinë, Sri Lanka, Meksikë etj. Këtë edicion ata do të jenë në Shqipëri dhe episodi i parë është transmetuar më 1 janar 2022.
Për Shqipërinë kjo është një mundësi fantastike promovimi si për turizmin, po ashtu edhe për imazhin.