Në dy vitet e fundit, politika shqiptare ka njohur disa precedentë të rinj, si djegie mandatesh apo bojkot zgjedhjesh, por në krye të kësaj liste, tashmë është shkarkimi i Presidentit.
Mazhorancës socialiste i mjaftuan vetëm 3 javë kohë për të hetuar kreun e shtetit dhe konkluzioni duhet të dilte siç kishte porositur Edi Rama, 3 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. “Ilir Meta të japë dorëheqjen ose do ta shkarkojmë me parlamentin aktual”, thoshte Rama.
Kjo ishte tentativa e dytë e socialistëve për të shkarkuar Ilir Metën, kur u treguan më të vendosur. Hetimi i parë parlamentar ndaj tij kaloi vetëm me disa këshilla se si duhet të sillet Presidenti, pasi Komisioni i Venecias këshilloi mazhorancën t’ia falte Presidentit disa tejkalime të kompetencave, duke mos i konsideruar si shkelje të rënda kushtetuese.
Këshillat nuk u morën për bazë dhe fjalët e dala nga goja e Ilir Metës gjatë fushatës elektorale, ku bënte thirrje për të mprehur sfurqet, ishin provat që socialistët paraqitën si fakte të mjaftueshme, këtë herë, për ta shkarkuar.
Data 9 qershor, u caktua si dita ku socialistët do të tregonin me votë atë që kishin thënë me fjalë. Rëndësia e seancës plenare u duk nga vetë prania e Edi Ramës, i cili u rikthye të flasë në sallën e Kuvendit pas disa muajsh braktisjeje. Mesazhi i kryeministrit ishte konciz, dashuria e dikurshme me Ilir Metën, tashmë është kthyer në urrejtje.
Të thirrur emër pas emri, deputetët iu drejtuan dhomave të fshehta të votimit. Edi Rama zgjodhi që votën pro shkarkimit ta tregonte publikisht, si mesazh për deputetët e tjerë se kjo punë duhet çuar deri në fund. Procesi i numërimit nuk u prit me ankth nga socialistët. Fillimisht, Edi Rama, e më pas Gramoz Ruçi, ikën nga salla e Kuvendit në një kohë kur të ishin ende duke u numëruar.
“Në katër vite që kam drejtuar unë grupin parlamentar nuk kemi çeduar asnjëherë në arritjen e objektivave”, do të deklaronte në atë kohë Taulant Balla. Arritja e numrit 94 në sallë u sinjalizua nga duartrokitjet. Votat pro shkarkimit të Metës shkuan në 104, numër ky I mjaftueshëm jo vetëm për të shkarkuar presidentin, por për të ndryshuar kushtetutën në çdo moment që rrjedhimisht ngriti pikëpyetjen nëse në Kuvendin e mandateve të djegura ekzistonte apo jo opozita parlamentare, ashtu siç pretendohej publikisht.
Në një kohë kur Kuvendi po votonte shkarkimin e Presidentit, pak metra më tutje në oborrin e Ilir Metës dëgjohej muzikë. Për herë të dytë, brenda pak ditëve, ai e ktheu godinën e presidencës në një sallë ansambli këngësh dhe vallesh, madje duke u bërë pjesë e tyre.
Në një kohë kur kutitë po mbusheshin me vota kundër tij, Meta shijonte këngë nga zona e Dibrës, me të cilën e lidh edhe akoma më ngushtë prejardhja e bashkëshortes. Në pamundësi për t’u treguar indiferent, Taulant Balla tregoi me batutë se një vesh e mbante në sallë, e një në presidencë.
“Shpresoj mos t’i kenë kënduar këngën e Hajredin Pashës”, tha Balla. Kënga thotë se Hajredin Pashën e gjeti belaja, por pozitat e Ilir Metës nuk ngjasojnë ende të tilla. Fjalën e fundit për shkarkimin e Presidentit duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht është e paplotë dhe përbëhet nga 7 anëtarë, çka tregon rrezikun potencial të mosarritjes së kuorumit të vendimmarrjes. Gjykata Kushtetuese kërkoi më shumë kohë se ç’u mendua fillimisht për të bërë shqyrtimin paraprak të vendimit të parlamentit.
Edi Rama u detyrua të shkojë sërish te zyra e Ilir Metës për t’u betuar si kryeministër në mandatin e tretë të fituar në zgjedhjet e 25 prillit. Muajt përvëlues të verës nuk shkrinë aspak akujt ndërmjet Ramës dhe Metës, gjë që u reflektua edhe në ceremonialin shtetëror, ku kryeministri nuk i dha dorën, ndërsa presidenti as nuk e përgëzoi publikisht.
Qetësia presidenciale përfundoi me vapën. Ndryshe nga pranvera, vjeshta e gjeti me një armik më shumë. Pasi Basha e futi në “Trekëndëshin e Bermudës”, Meta zbuloi se si kryetari i PD-së iu ul në gjunjë për t’i kërkuar që të anulonte zgjedhjet bashkiake. Në dy vitet e fundit, marrëdhënia e presidentit me kryetarin e opozitës, kishte qenë dukshëm më e afërt se ajo me kryetarin e mazhorancës. Arsyeja e ndarjes duket se kishte edhe prapavijë politike.
Tashmë presidenti është i vetëm në betejë. Kundër nuk ka vetëm Edi Ramën me Partinë Socialiste, por edhe Lulzim Basha me deputetët e tij. Ndryshe nga fillimi i vitit 2021, ku përplasja e presidentit ishte në foltoren presidenciale, fushëbeteja në fillim vitin 2022 do të transferohet brenda Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë ka caktuar datën për të shqyrtuar fatin e Ilir Metës.
I shkarkuar apo jo, pavarësisht çfarë qëndrimi do të mbajë Gjykata Kushtetuese, Ilir Meta është gati të heqë kostumin presidencial. Pesë vjet në krye të institucionit duket se nuk e kanë kënaqur Ilir Metën, i cili duket se është bërë pishman për kohën e humbur brenda një godine që se lejonte të zhvillonte betejat politike.
Tashmë, ai është gati për t’u rikthyer aktiv në politikë, në partinë që themeloi 18 vite më parë, ku çelësat e drejtimit ia ka marrë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.(A2)