Lioni dëshiron që ta shesë Xherdan Shaqirin vetëm katër muaj pasi e bleu atë nga Liverpuli. Mesfushori shqiptaro-zviceran u bë pjesë e klubit francez në gusht, e për kartonin e tij u paguan në total 11 mln euro.
Por sipas “L’Equipe”, pas 13 ndeshjesh të luajtura, Lioni ka vendosur që ta largojë atë.
Shaqiri ka shënuar vetëm një gol për ekipin francez, e për drejtuesit, performanca e tij ka qenë larg asaj që ata prisnin, ndërkohë që janë në vështirësi financiare.
Shaqiri firmosi për tri vite me Lionin, e paguhet 350 mijë euro në një muaj. Ndërsa sezonin e shkuar, Lioni e mbylli në vend të katërt, aktualisht mban pozicionin e 13 në Ligue 1.
Shaqiri bëri një paraqitje mjaft të mirë në Euro 2020, duke ndihmuar Zvicrën që të shkonte në çerekfinalet e kompeticionit.
Klubi francez përfitoi nga çmimi i tij i favorshëm për ta blerë nga “të kuqtë”, me të cilët ai fitoi Premier Ligën, Ligën e Kampioneve, Super Kupën dhe Botërorin e Klubeve.