Sali Berisha e ka ndarë mendjen; do marrë selinë e PD dhe do i thotë burgut hapu.
Nëpërmjet linguistikës së tij makabre, ku dhuna është kryefjala, kardiologu i shkëlqyer që shëron zemrat, flet si një varmihës që vlerëson punën e tij në bazë të kufomave që shtie në dhe.
Retorika dhe ndërveprimi i Sali Berishës janë simptomat e një njeriu të mbytur nga dëshpërimi për fatkeqësinë që i ka rënë në kokë, nga momenti që DASH e shpalli non grata. 9 shtatori, dita kur pasardhësi i dha goditjen përfundimtare duke e përzënë nga PD, duket se rrënoi arsyen e Sali Berishës, duke e shndërruar në një njeri që flet në kllapi.
Nga ky moment Sali Berisha transmenton qartazi para qytetarëve marrëzinë e një njeriu të rënë nga vakti, gjuha e të cilit ngjason më shumë me të burgosurit e Burrelit në kohën e xhaxhit, të cilët projektonin revolucione të cilat i shtypte pesha e qelive të atij burgu.
Prej disa ditësh, Sali Berisha ka vendosur datën 8 janar, si ditën vendimtare të revolucionit të tij psikik, nga ku do të çlirojë selinë e PD dhe do të vendosë flamurin e tij në luftën finale kundër amerikanëve.
Sali Berisha nuk ka nevojë për vendim gjykate, nuk ka nevojë për ligje dhe rregulla. Ai respekton ligjet që ka bërë në republikën e trurit të tij.
Në 8 janar forcat revolucionare do marshojnë drejt selisë së demokratëve dhe do të “nxjerrin prej bythësh” deputetin Basha dhe vendin e tij do e zërë kryetari i këtij revolucioni.
Faktet kanë treguar se Sali Berisha nuk është aq trim sa të dhunojë dhe uzurpojë selinë e PD. E ka provuar disa herë, ku ka hyrë dhe ka dalë me “bisht në shalë”.
Ndryshe nga rastet e tjera duket se këtë herë Sali Berisha është më i vendosur se kurrë dhe këtë ide duket se jua ka induktuar me dhunë dhe disa prej pasuesve të tij. Në 8 janar Sali Berisha ka paralajmëruar se do të pushtojë me dhunë selinë e opozitës shqiptare, duke bërë të qartë se nuk ka nevojë për gjykata, për ligje dhe kushtetutë për të përznë PD zyrtare, për të futur partinë e tij imagjinare.
Nëse ndodh ky fakt ky do të jetë një përsëritje identike si puçi i 14 shtatorit 1998, ku pasi i pushtoi institucionet një e nga një, iku me “brekë nëpër këmbë”, duke përfunduar me tankun e gardës të cilit i mbaroi benzina në oborrin e PD.
Nëse 14 shtatori ishte një situatë e paparishikuar me një organizim luftarak nga PD e asaj kohe, mësymja e 8 janarit është një ngjarje e paralajmëruar nga Sali Berisha, i cili në rastin më të lehtë shkel rendin kushtetues duke dhunuar selinë e opozitës shqiptare.
Referuar deklaratave të kryeministrit shqiptar për mosndërhyrje në këtë konflikt, supozohet të kemi përleshje midis përkrahësve e cila mund të sjellë një gjakderdhje të mundshme.
Në situatën aktuale, Sali Berisha dhe lëvizja e tij janë të deligjitimuara për çdo veprim mbi selinë e PD dhe çdo pseudorevolucion duhet të ketë ndërhyrje të menjëhershme nga forcat e rendit. Prokuroria duhet të nisë hetimin kryesisht mbi deklaratat e Sali Berishës dhe përkrahësve të tij, të cilat janë kërcënime që konfirmojnë pushtimin e selisë së PD nga një grup jolegjitim, fakt që përbën një vepër të spikatur penale.
8 janari është dita vendimtare ku Sali Berisha do të marrë me dhunë selinë e PD dhe do i thotë burgut hapu, apo do të ikë me “bisht në shalë” si herët e tjera.
Gjithsesi, deklarata e kryeministrit Rama se nuk do të lejojë policinë janë thjesht një kurth për Sali Berishën, në mënyrë që ky të ketë fatin e keq të mbyllë revolucionin e vet në dyert e burgut.