Prokuroria e Posaçme ka nisur arrestimet në radhët e funksionarëve të lartë, pasi rezulton se ka një abuzim të jashtëzakonshëm me tenderat. Pjesa dërrmuese e dosjeve që ka në dorë SPAK janë pikërisht për shkelje me tenderat.
Por teksa SPAK po punon në prapaskenë, institucioni i cili duhej të evidentonte shkeljet duket se ndodhet në gjumë. Ndër vite Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë me dhjetra kallëzime, përfshirë dhe ministra dhe krerë bashkish, por rezulton se në afro dy vitet e fundit ky institucion e ka ulur shumë rendimentin e punës.
Emërimi i Arben Shehut në krye të KLSH erdhi pas një sërë përplasjesh mes qeverisë dhe presidentit dhe fryma e sjellë deri më tani në këtë institucion nuk është ajo që pritej.
Përveç shumë shkarkimeve që ndodhën pas marrjes së detyrës, duket se puna çalon dhe te procesi i auditime, detyrë kryesore e KLSH. Nga një kërkim shumë i thjeshtë në faqen e interneti të KLSH, rezulton se që kur ka marrë detyrën kreu i ri dhe deri më tani, ka pasur rreth 30 persona të paditur në prokurori.
Nëse shohim raportet e viteve të kaluar, në një vit KLSH padiste me qindra persona, por në afro dy vite janë kallëzuar vetëm disa funksionarë të thjeshtë institucionesh. Një ditë më parë gazeta tregoi se edhe ata që janë paditur nuk dihet se kush janë pasi mbahen diskrete të dhënat.
Paditë
Sipas njoftimeve të KLSH, paditë e para të bëra nën drejtimin e kreut aktual erdhën në korrik të vitit aktual ku u paditën 5 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe disa funksionarë vendorë. Në gusht janë paditur disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Korçë.
Muajt e fundit janë paditur një sërë zyrtarësh në bashkitë Tropojë, Kurbin dhe Dibër. I vetmi zyrtar i lartë i paditur nga KLSH në këto muaj është kreu i AKU.
Ndërkohë kemi disa rate të tjera ku KLSH ka gjetur zyrtarë të lartë me shumë shkelje, por nuk i ka paditur, por vetëm ka kërkuar shkarkim. Nëse shohim edhe raportin vjetor për vitin 2020, del qartë që numri i padive ka qenë shumë i ulët. “Gjatë vitit 2020 KLSH ka dërguar në organin e prokurorisë 8 referime penale, për 12 drejtues të nivelit të lartë të mesëm dhe specialist.
Gjatë kësaj periudhe KLSH është angazhuar në 95 procese gjyqësore, nga të cilat 24 procese gjyqësore të karakterit penal, 59 procese gjyqësore të karakterit administrativ dhe 14 procese gjyqësore të karakterit civil. Këto procese kanë pasur një shpërndarje të madhe gjeografike, ku përfshihen gjykata si Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Berat, Fier, Vlorë, Përmet, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, Pukë, Mat, Tropojë, Korçë.
Përgjatë vitit 2020, ndër të tjera, KLSH ka ndjekur me prioritet proceset gjyqësore për të cilat KLSH ka iniciuar referimet penale. Lidhur me vendimet për pushimin e çështjeve penale, të dërguara pranë KLSH-së, theksojmë se të gjitha këto vendime janë ankimuar në gjykatat e apelit respektive, në bazë dhe për zbatim të procedurave ligjore përkatëse”, thuhet në raport.