Legjionarët po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre në ligat e ndryshme europiane. Por fokusi kryesor i këtyre muajve të fundit ka qenë tek talenti 20-vjeçar Armando Broja, i cili po kalon një formë të shkëlqyer dhe me golat e tij me shumë peshë për Sauthemptonin dhe përfaqësuesen e Shqipërisë, ka tërhequr vëmendjen e shtypit sportiv europian, e sidomos medias sportive britanike.
Dy ditë më parë shtatlarti i sulmit shqiptar ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij, Sauthemptonit, duke fituar një 11-metërsh që më pas u kthye në gol nga një shok i tij i ekipit, por edhe në tërësinë e tij lojtari shqiptar u paraqit mjaft mirë, duke marrë notë të lartë dhe duke u cilësuar edhe si “ylli” i ndeshjes.
Trajneri i Sauthemptonit i thur elozhe sulmuesit Broja
Broja është kryetema e lajmeve në median sportive britanike. Madje tifozët e Çelsit kanë ditë që i bëjnë presion klubit blu të Londrës që ta kthejnë lojtarin në gjirin e skuadrës e të mos e huazojnë, pasi Broja në pikëpamjen e tyre është shumë më efikas sesa Lukaku që është blerë sa qimet e kokës.
Sauthempton u rikthye te fitorja në Premier League pas 7 ndeshjesh falë suksesit 2-3 në fushën e Uest Hem, një sukses edhe nën shenjën e Armando Brojës me sulmuesin shqiptar që u bë protagonist duke fituar penalltinë që solli golin e avantazhit 1-2 të shenjtorëve me Uard-Prouse, ndërkohë që Broja ishte i magjishëm edhe në disa episode të tjera. Në fund të sfidës trajneri Ralf Hasenhutl e vlerësoi shumë pozitivisht paraqitjen e Brojës duke thurur elozhe për bomberin shqiptar.
“Nuk jam i surprizuar nga paraqitja e Brojës pasi i njoh cilësitë e tij, është shume potent dhe shumë i shpejtë me topin në këmbë. Nga ndeshja në ndeshje ai po vjen gjithnjë e më shumë në rritje. Jam i lumtur për Armandon që fitoi penalltinë pasi nëse nuk do ta kishin penguar, ai do të shënonte”, deklaroi Ralf Hasenutl.
Lexuesit e “BBC” e zgjedhin më të mirin sulmuesin kuqezi
Ata që e dëshirojnë më shumë Brojën janë tifozët, madje dhe tifozët kundërshtarë, që shohin tek lojtari shqiptar një potencë të madhe dhe një futbollist të së ardhmes. Për lexuesit e “BBC”, Armando Broja ishte padyshim ylli ndeshjes që Sauthempton fitoi me shifrat 3-2 ndaj Uest Hem.
Skuadra e tij triumfoi në transfertë në fushën e një skuadre që po lufton për një vend në Europë në verë dhe paraqitja e Brojës ka marrë shumë vlerësime. Në sondazhin e zakonshëm të hapur për tifozët nga rrjeti i njohur mediatik për paraqitjet e lojtarëve të kësaj sfide, Broja ka qenë ai që ka marrë notën më të lartë. Ai është vlerësuar me notën 7,97 nga lexuesit e “BBC”.
“Armando Broja ishte njeriu i juaj i ndeshjes në matësin e paraqitjes së lojtarëve pasi Sauthemptoni triumfoi në një triller të “London Stadum”. Broja ishte një shqetësim i vazhdueshëm për Uest Hemin gjatë të gjithë ndeshjes dhe ndonëse nuk shënoi, ndikimi në rezultat ishte i qartë kur u rrëzua në zonën e rreptësisë nga Kreig Douson”, shkruante BBC për futbollistin pas këtij vlerësimi të lexuesve për talentin shqiptar.